Lajme
Konfirmohet| Policia arrestoi bashkëpunëtorin e Enver Sekiraqës, kërkohej që 14 vjet për vrasjen e Triumf Rizës
Demokracia
18:50 | 16 Korrik 2023

Share:

Policia e Kosovës ka konfirmuar raportimin e Demokracia.com për arrestimin e Ilir Abdullahut, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e policit, Triumf Riza.

Demokracia.com më herët raportoi se Abdullahu, i cili ka qenë në kërkim nga Policia e Kosovës që 14 vjet, u arrestua sot.

Lajmin  për arrestimin e tij e ka konfirmuar për Demokracia.com, Policia e Kosovës.

Abdullahu u arrestua në Batllavë të Podujevës sot rreth orës 17:00.

“Policia e Kosovës arreston personin e shumë kërkuar, i cili ishte në kërkim për vite me radhë. Si rezultat i angazhimeve dhe hetimeve të pandërprera të Policisë së Kosovës, sot me datën 16.07.2023, rreth orës 17:00, në Batllavë të Podujevës është arrestuar i shumë kërkuari (I, A,) i njohur me nofkën “Liza”. I njëjti ishte në kërkim policor për disa vite me radhë, si i dyshuar për vepër penale të vrasjes së rëndë.
Arrestimi i tij është kryer, pas bashkëpunimit dhe koordinimit të njësiteve të ndryshme policore, përfshirë sektorin e narkotikëve të cilët kanë asistuar deri në arrestimin e tij. Të gjitha veprimet e mëtejme policore, do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg.

Enver Sekiraqa akuzohet se kishte nxitur vrasjen e Triumf Rizës. Për këtë akuzë Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim mirëpo rasti ishte kthyer në rigjykim.

Incidenti ndodhi në “Swiss Casino”, në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani./Demokracia.com/

Vrasja e Triumf Rizës| Arrestohet bashkëpunëtori i Enver Sekiraqës, Ilir Abdullahu, kërkohej që 16 vjet

Të ngjashme