Lajme
Hipokrizia e partisë së Kurtit | Sveçla kërkon nga KQZ-ja ta trajtojë ligjshmërinë e Listës Serbe, Kurteshi voton që asaj t’i ndahen mbi 300 mijë euro
Demokracia
09:43 | 04 Prill 2023

Share:

Hipokrizia politike e zyrtarëve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk përfundon dhe është bërë e përditshme.

Derisa ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla, i ka bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ta trajtojë çështjen e Listës Serbe, për ta verifikuar përshtatshmërinë e saj në raport me rendin kushtetues të shtetit të Kosovës, përfaqësuesi i partisë së tij në KQZ, Sami Kurteshi, ka votuar që kjo parti politike të përfitojë qindra mijëra euro nga buxheti i shtetit të Kosovës, shkruan Demokracia.com.

“Thirrja për kryengritje dhe rezistencë është vepër e rëndë penale në Republikën e Kosovës. Ajo bëhet edhe e papranueshme kur vjen nga një subjekt parlamentar politik. Të tillët duhet të trajtohen dhe nga institucionet e pavarura e KQZ, për të verifikuar përshtatshmërinë e tyre në raport me rendin tonë kushtetues”, ka thënë ministri Sveçla, të dielen e 2 prillit.

Por, sjelljet dhe deklaratat e Listës Serbe kundër rendit juridik të Kosovës nuk janë të reja. Ato datojnë edhe më herët. Madje, vetë kryeministri Kurti e ka inkuaruar vazhdimisht liderin e Listës Serbe që të qëndronte në barrikadat e vendosura në veri të Kosovës, duke thënë se është kujdesur që situata të mos tensionohet.

“Është kujdesur që situata të mos tensionohet”| Si e inkurajonte Albin Kurti të qëndronte në barrikada Goran Rakiqin e Listës Serbe

 

Ndryshe nga Sveçla, ka vepruar përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, në mbledhjen e datës 19 janar të këtij viti. Ai ka votuar që të miratohet vendimi për ndarjen e mjeteve nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike për periudhën janar – dhjetor 2023. Kurteshi dhe kolegët e tij nga partitë politike kanë votuar pro vendimit që përmban listën me të gjitha partitë përfituese nga ky fond. Në mesin e tyre është edhe partia Lista Serbe, e cila për vitin 2023 do të përfitojë nga buxheti i Kosovës 315,000 euro.

Kurteshi nuk ka shprehur asnjë kundërshti që në mesin e këtyre partive përfituese është edhe Lista Serbe.

Vetëm një muaj para këtij vendimi, me 7 dhjetor dhe dy dite para shtyrjes së zgjedhjeve për kryetarët e komunave veriore të Kosovës, Kurteshi kishte akuzuar rëndë Listën Serbe, duke e bërë atë një organizatë terroriste.

“Qëllimi nuk është as te zgjedhjet as te targat, por qëllimi që po e ndjek Serbia është që të dëshmoj se me Listën Serbe, që më gjasë është organizatë terroriste ose pjesë politike e një organizate politike, të krijoj një gjendje të tillë në veri, që dëshmon se pushtetin faktik e kanë ata dhe se shteti i Kosovës nuk e kontrollon një pjesë të territorit të vet”, ishte shprehur Kurteshi në “Edicioni Special” në Klan Kosova.

Të ngjashme