Lajme
“Është kujdesur që situata të mos tensionohet”| Si e inkurajonte Albin Kurti të qëndronte në barrikada Goran Rakiqin e Listës Serbe
Demokracia
10:01 | 05 Gusht 2022

Share:

Më 18 mars të vitit 2020, kryeministrit Albin Kurtit i janë dashur vetëm pak orë për ta shkarkuar ministrin e tij të brendshëm, Agim Veliun, i cili kishte dhënë një deklaratë ku ai e mbështeste presidentin Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, pasi pandemia me COVID-19 kishte filluar të shpërthente në Kosovë dhe askush në botë nuk e dinte sesi duhej të përballej në situata të tilla.

Por, kryeministri Kurti po vepron krejtësisht ndryshe me ministrin e tij serb, Goran Rakiq, i cili zakonisht qëndron në barrikadat e serbëve në veri sa herë që ata dalin për të kundërshtuar ndonjë vendim të Qeverisë së Kosovës. Edhe udhëzimet për veprimet e tij, ministri i Kurtit po i merr në mbledhjet e hapura në Beograd nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Për Kurtin, të pajtoheshe me presidentin Hashim Thaçin edhe për një temë që kishte të bënte drejtpërdrejt me shëndetin e qytetarëve, ishte e pafalshme, ndërsa sot të pajtohesh me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për të bllokuar rrugët e Kosovës dhe për të kundërshtuar vendimet e Qeverisë, nuk përbën fakt për të ndërmarrë ndonjë masë. Edhe pse është e qartë se ai nuk është i dërguar nga Kurti për të mbikëqyrur situatën, pasi këtë e bëjnë institucionet e sigurisë.

Kurti vetëm kur ishte në opozitë u bënte presion qeverive për të shkarkuar zyrtarët e Listës Serbe, të cilët bënin deklarata apo nuk tregonin lojalitetin ndaj Republikës së Kosovës. Por, prej ditës kur është bërë kryeministër, Kurti po tregohet shumë i kujdesshëm me ministrat nga Lista Serbe.

“Unë nuk po i quaj më ashtu [çetnikë]”, thoshte Albin Kurti, në shkurtin e vitit 2020 kur për herë të parë u bë kryeministër dhe pasi u pyet se “A do të tërhiqeni nga ajo që [Listën Serbe] i keni quajtur çetnikë?”.

Kjo ishte një përgjigje e shkurtër e kryeministrit Kurti, por shumë e qartë. Ai lehtësisht kishte vendosur të braktiste opozitarizmin e tij edhe ndaj Listës Serbe, të cilën e shihte si një parti çetnikësh dhe që i shërben vetëm Beogradit zyrtar. Ai kishte vendosur që ta merrte në Qeveri edhe Listën Serbe.

“U thoni jo çetnikëve të Listës Serbe se kështu i thoni po Republikës sonë”, deklaronte opozitari Kurti në një mbledhje të këshillit të përgjithshëm të partisë së tij, por që kur u bë kryeministër vendosi që ta bënte të kundërtën.

Kurti është treguar jashtëzakonisht i kujdesshëm në qasjen ndaj Listës Serbe dhe kryetarit të saj, Goran Rakiq, i cili në shumë raste edhe publikisht e ka sfiduar kryeministrin. Por, çuditërisht, Kurti është kthyer në mbrojtës të tij. Çuditërisht, Kurti ka inkurajuar ministrin Goran Rakiq për të qëndruar në barrikadat që strukturat paralele serbe i vendosnin në veri të Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Ministri në Qeverinë e Kurtit, Goran Rakiq, ka qëndruar në ballë të barrikadave që ishin vendosur në shtatorin e vitit 2021 në rrugët e veriut të Kosovës për të kundërshtuar zbatimin e vendimit të Qeverisë për targat e automjeteve. Ai ka prezantuar para mediave kërkesat e njëjta me ato që prezantoheshin edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Megjithëkëtë, Kurti bëhej sikur nuk po e vërente sjelljen e Rakiqit dhe nuk bënte zë. Sjelljen e tij të hapur kundër vendimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës, Kurti nuk e ndëshkoi asnjëherë, por përkundrazi e inkurajoi atë.

“Me atë çfarë di unë dhe çfarë më ka thënë, ai është kujdesur që situata të mos tensionohet, andaj edhe nuk do të marrë masa ndaj tij”, deklaronte Kurti më 22 shtator 2021.

Këtë argument ka filluar ta përdorë vetë Rakiq për të arsyetuar prezencën e tij në barrikada nga ku ai paraqet qëndrime krejtësisht në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“S’kam lexuar që jam ministër i barrikadave, por jam gjithnjë i pranishëm aty me të vetmen arsye që ta ruaj paqen, paqen dhe vetëm paqen dhe të mos lejojë të ndodhë asnjë incident”, deklaroi Rakiq për mediat kosovare më 4 gusht 2022, vetëm pak ditë pasi kundërshtoi hapur vendimin e Qeverisë Kurti për të zbatuar dy vendime të reciprocitetit me Serbinë.

Kurtit i është kërkuar në jo pak raste shkarkimi i ministrit të tij, por ai ka thënë se nuk do të marrë ndonjë masë për “Paqeruajtësin” e tij.

Sidoqoftë, mes Kurtit dhe Vuçiqit, ministri Rakiq ia ka dalë që prej vitit 2020 kur Vetëvendosje erdhi në pushtet, të qëndrojë i palëkundur në Qeverinë që drejtohet nga Kurti./Demokracia.com/

Të ngjashme