Armend Gashi është frizer i kryeministrit Albin Kurti dhe ministres Albulena Haxhiu, për të cilët dihet publikisht se marrin shërbime estetike në lokalin e tij. Gashi kishte aderuar në Vetëvendosje para tri vitesh. Në një emision televiziv ai nuk kishte hezituar t’i jepte arsyet për aderimin në VV, derisa thoshte se e ka marrë këtë vendim sepse dëshiron të dijë më shumë se çka ndodh në vend.
“Duhet të vetëdijesohemi se çka po ndodh në vend, kjo është një ndër arsyet që m’ka shty me marrë këtë hap”, kishte thënë ai në Debat Plus.
Tutje, ai ishte shprehur se populli ka nevojë për një ndryshim. E ky ndryshim i erdhi fiks Gashit, pasi që bashkëshortja e tij u punësua në ministrinë që e drejton Albulena Haxhiu, klientja e rregullt e tij.
Demokracia.com ka raportuar sot ekskluzivisht për shpërblimin që i erdhi frizerit duke qenë pjesë e LVV-së dhe ‘kujdestar’ i rregullt në dukjen e Kurtit, Haxhiut, Konjufcës… e deri te Boiken Abazi.
Brikena Kelmendi – Gashi, bashkëshortja e Armend Gashit, i cili ka në pronësi sallonin “Vouge Hair”, tashmë është punësuar në një pozitë të lartë në Ministrinë e që drejtohet nga Albulena Haxhiu, atë të Drejtësisë.
Kelmendi-Gashi nga gjysma e janarit po punon në Divizionin për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Gjykata Speciale. Një nga divizionet më të rëndësishme në MD.
Fotografitë e postuara në rrjete sociale, ku shihej ministrja Albulena Haxhiu me “frizurën” e re, nxitën shumë reagime publike. Por, ato po rezultojnë të mos jenë thjesht “klientelizëm i rëndomtë”.
Demokracia.com ka siguruar vendimin e nënshkruar nga ministrja Albulena Haxhiu për emërimin e bashkëshortes së frizerit Armend Gashi në një pozitë në Ministrinë e Drejtësisë.
Në vendimin e Haxhiut të protokolluar më 16 janar 2023, ku pak më poshtë te e njëjta datë figuron viti 2022, thuhet se Brikena Kelmendi – Gashi do të nisë punën në Divizionin për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara. /Demokracia.com/
LEXONI EDHE:
Ministria e Albulena Haxhiut e konfirmon punësimin e gruas së frizerit që i “qeth” në Vetëvendosje