Lajme
Ministria e Albulena Haxhiut e konfirmon punësimin e gruas së frizerit që i “qeth” në Vetëvendosje
Demokracia
16:04 | 07 Shkurt 2023

Share:

Pas publikimit të artikullit “EKSKLUZIVE| Albulena Haxhiu i bën favor frizerit të saj, ia punëson gruan në Ministrinë e Drejtësisë (Dokument)”, ku faktohet që ministrja Haxhiu e ka punësuar në Ministrinë e Drejtësisë edhe bashkëshorten e frizerit të saj, ka ardhur edhe reagimi i këtij institucioni.

EKSKLUZIVE| Albulena Haxhiu i bën favor frizerit të saj, ia punëson gruan në Ministrinë e Drejtësisë (Dokument)

Zyra për Komunikim me Publikun e Ministrisë së Drejtësisë, e cila përgjigjet i ka kthyer vetëm pasi është publikuar artikulli i faktuar, e ka quajtur seksizëm edhe komentimin e frizurës së ministres Albulena Haxhiu, pas fotografive që ishin bërë publike. Kjo ministri, ndonëse nuk e kishte publikuar në uebfaqen e saj vendimin për punësimin e bashkëshortes së frizerit të ministres Haxhiu, tani e konfirmon punësimin e saj, duke e arsyetuar thjesht si interesim të saj për t’u angazhuar dhe ndihmuar në Ministrinë e Drejtësisë.

“Komentimi i paraqitjes së grave në pozita drejtuese të shtetit nuk mund të quhet ndryshe përpos seksizëm. Gjithsesi, sa i përket të tillave reagime dhe sulme, si Ministri e Drejtësisë konsiderojmë se është shumë e ulët të diskutohet tutje.

Sa i përket pyetjeve tuaja, znj. Brikena Kelmendi Gashi, që nga marrja e mandatit, e edhe në Qeverinë Kurti 1, ka shprehur interesimin e saj për tu angazhuar dhe ndihmuar në Ministrinë e Drejtësisë. Pas mbarimit të mandatit të një zyrtari në divizion, Ministrja Haxhiu ka shqyrtuar disa CV të personave që kanë shprehur interesim dhe nuk janë militant partiak (për shkak të natyrës së punës në divizion) dhe ka vendosur ta emëroj znj. Kelmendi Gashi në këtë pozitë.

Sa i përket kësaj pjese, ju inkurajojmë të drejtoheni tek salloni në fjalë.

Në Divizionin për mbrojtjen e të akuzuarve potencial në Hagë janë të punësuara 4 gra. Znj. Brikena Kelmendi Gashi mbulon pjesën e protokollimit të kërkesave, shkresave etj.”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për Demokracia.com.

Megjithatë, duket se miqësitë e frizerit Armend Gashi me figura të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilit iu punësua bashkëshortja në Ministrinë e Drejtësisë, nuk fillojnë dhe përfundojnë vetëm me ministren Albulena Haxhiu.

“Edhe flokët kanë nevojë për drejtësi”, kishte shkruar ai në një fotografi në vitin 2021, ku shihet se bashku me ministren Haxhiu, të cilës ia kishte drejtuar flokët.

Pas ardhjes në pushtet të Vetëvendosjes, ndikimi i frizerëve është rritur goxha shumë në këtë subjekt politik.

Gashi kujdeset edhe për ‘look”-un e kryeministrit Albin Kurti, gruas së tij Ritës dhe vajzës së tij, Lea.

Frizeri Armend Gashi kishte postuar një fotografi të kryeministrit Albin Kurti me familje, kur ata ishin në Festivalin e Filmit në Cannes, duke pohuar se i kishte qethur që të tretë.

Po ashtu, Gashi ishte kujdesur për flokët e çiftit kryeministror edhe në pritjen për nder të 4 Korrikut në Ambasadën e SHBA-së.

Duket se frizeri Gashi ka një ndikim të madh te Kurti, pasi që e kishte bërë të shfaqej në një mënyrë, siç nuk e kishim parë kurrë.

Kurti, i cili pothuajse çdoherë shfaqet i ngrysur dhe i veshur rregullt, në një fotografi me frizerin Gashi qeshet dhe jakat e këmishës i ka të ngritura lart, teksa në duar mban një birrë për t’u dukur më atraktiv për votuesit e rinj.

Gashi ishte kujdesur për frizurën e Kurtit edhe gjatë fushatës zgjedhore.

Por, ai ua kishte rregulluar flokët edhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca, nënkryetares së Kuvendit, Saranda Bogujevci dhe ministrit Arben Vitia.

Madje, duart e frizerit Armend Gashi kishin arritur ta prekin edhe njërën prej “kokave” të Tiranës.

Frizeri ia kishte prerë flokët edhe Bojken Abazit, para zgjedhjeve në Shqipëri.

Qytetarët kanë filluar të tallen me të madhe me lidhjen e Vetëvendosjes me frizerë.

Të qeshura pafund ka shkaktuar muaj më parë deklarata e deputetes së Vetëvendosjes, Fatmire  Mulhaxha-Kollçaku, e cila në një emision televiziv kishte ndarë një bisedë me frizeren e saj.

“Unë fle rahat, sepse nuk kam frikë që kur të zgjohem do të kuptoj se Kryeministri ynë ka nënshkruar ndonjë marrëveshje të dëmshme për vendin”. U befasova për të mirë, kur e dëgjova këtë nga një parukiere në sallonin që e frekuentoj. Vetëdija qytetare fatmirësisht është shumë më e lartë, në raport me atë që servohet shpesh nga studiot televizive me tentativë të kotë në deformimin e opinionit publik.”, kishte thënë deputetja Mulhaxha-Kollçaku

“Flini rehat” – Tallje masive ndaj deputetes Kollçaku pasi tregoi fjalët e parukieres për Kurtin

Nuk është ndonjë konspiracion, por vendimmarrja dhe ndikimi i salloneve të ondulimit në Republikën e Kosovës, që udhëhiqet nga Vetëvendosje dhe Guxo (Presidencë, Qeveri e Kuvend), duket se i ka zënë rrënjët thellë.

Edhe për fotografinë zyrtare të presidentes Vjosa Osmani ishin përkujdesur një grimere dhe një stilist rrobash, shkruan Demokracia.com.

Sellma Kasumoviq e Valdrin Sahiti janë dy artistët e Kosovës që përkujdesen për çdo paraqitje të rëndësishme të Osmanit.

Njëra ia bënë grimin, tjetri e përzgjedh gardërobën e presidentes. E duke mos u ndalur me kaq, Osmani ua besoi atyre edhe një përgjegjësi tjetër, atë të përzgjedhjes së fotografisë zyrtare të saj. /Demokracia.com/

DOKUMENT| Grimeret dhe disenjatorët rrisin ndikimin në shtet, Sellma dhe Valdrini përzgjodhën fotografinë zyrtare të presidentes Osmani

Të ngjashme