Lajme
Kurti po qeveris nga “bishti i ballanës”, afër dy muaj i kaloi jashtë vendit prej janarit deri më sot
Demokracia
22:57 | 13 Korrik 2022

Share:

I pari i ekzekutivit, Albin Kurti, duket se po e shijon shumë postin e kryeministrit dhe udhëtimet që ia mundësohen kjo pozitë e lartë.

Nga ajo që kemi parë deri më sot, Kurti nuk lë vizitë jashtë vendit pa e shfrytëzuar, shkruan Demokracia.com.

Por, përkundër që vizitat po realizohen e po shpenzohen paratë e taksapaguesve kosovarë, rezultatet e tyre janë të pavërejtura.

Albin Kurti nuk gjendet në Kosovë që nga 5 korriku dhe kjo është dita e 8-të e tij në rivierën greke.

Kurti u nis për në Greqi më 5 korrik për të marrë pjesë në tryezën vjetore të “The Economist”.

Pas saj, Kurti nuk ia prishi vetes qejfin dhe po i vazhdon edhe disa ditë në simpoziumin Symi, ku po diskuton për “gajlet” e botës, ndonëse populli i tij po përballet me krizë të rëndë ekonomike dhe një valë të re të koronavirusit, ku vetëm sot janë shënuar 763 raste të reja.

Pos këtyre tetë ditëve në Greqi, Albin Kurti ka qëndruar edhe shumë të tjera jashtë Kosovës.

Kurti “humbet” nëpër tempujt grek| Në vend që t’i qajë hallet e Kosovës, ai që disa ditë po merret me problemet e globit

Një muaj para Greqisë, Kurti ishte në vizitë në Britaninë e Madhe për ta mbajtur një ligjëratë të organizuar në Universitetin Cambridge.

Para se të shkonte në Britani, ai tri ditë të tjera kishte qëndruar në Sllovaki. Më 3 qershor ai kishte udhëtuar për në Forumin e Bratisllavës “GLOBSEC 2022”.

“Krahas pjesëmarrjes në panelin e diskutimit “Tani ose kurrë – Duke zhbllokuar të ardhmen evropiane për Ballkanin Perëndimor”, kryeministri Kurti do të zhvillojë takime edhe me liderë të vendeve të tjera, pjesëmarrës në këtë forum”, thuhej në njoftimin e Qeverisë, përcjell Demokracia.com.

Para kësaj vizite, Kurti ishte edhe një vizitë në Zvicër. Ai mori pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që u mbajt në Davos të Zvicrës, ku qëndroi nga 23-27 maj.

E një vizitë që do të mbahet mend për gjatësinë e saj dhe mosproduktivitetin ishte ajo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Kurti qëndroi rreth tri javë, që nga fillimi i muajit maj deri më 22 maj.

Ndonëse qëndroi aq gjatë në SHBA, Kurti nuk arriti të takohej presidentin amerikan Joe Biden, zëvendëspresidenten Kamala Harris dhe as sekretarin Blinken.

I vetmi takim i rëndësishëm i tij ishte ai me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, Jake Sullivan, ku ia mundësuan të pozonte vetëm tek disa shkallë në një objekt afër Shtëpisë së Bardhë.

Kurti në vizitën e gjatë në Amerikë takoi disa senatorë, mërgatën shqiptare dhe disa kompani, ku mes tyre ishte kompania UBER që së fundmi i shpërtheu një skandal i përmasave botërore, ku u përfshinë edhe politikanë të rëndësishëm botërorë.

Vizitës së Kurtit në SHBA i parapriu një vizitë në Gjermani, gjatë së cilës ai takoi kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Në këtë vizitë, Kurti darkoi edhe më Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si dhe me ndërmjetësin e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Më 26 prill, kryeministri Albin Kurti së bashku me presidenten Vjosa Osmani udhëtuan edhe drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-sekretares amerikane Medeleine Albright.

Më 7 prill, ai kishte qenë për vizitë sërish në Greqi për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Delphi.

Agjenda e Kurtit dhe Gërvallës| Shkuan dy ditë më herët në Greqi, mezi sigurojnë një “diskutim”

Para Greqisë, Kurti më 28 shkurt 2022 mori pjesë në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor 2022 në Londër.

Ndërsa, para Britanisë, ai kishte qëndruar edhe dy ditë në Munih të Gjermanisë, ku mori pjesë në Konferencën e Sigurisë, shkruan Demokracia.com.

Të gjithë këto vizita janë përmbledhur nga takimet e Kurtit, të cilat janë bërë publike në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës.

Gjatë muajit janar nuk është raportuar për ndonjë vizitë të kryeministrit Kurti jashtë vendit. /Demokracia.com/

Të ngjashme