Lajme
Agjenda e Kurtit dhe Gërvallës| Shkuan dy ditë më herët në Greqi, mezi sigurojnë një “diskutim”
Demokracia
11:10 | 07 Prill 2022

Share:

Forumi Ekonomik i Delphit në Greqi ka nisur më 6 prill dhe pritet të zgjasë deri më 9 prill. Kosova në këtë ngjarje, në mungesë të agjendës ndërkombëtare dhe takimeve të tjera, do të përfaqësohet nga dy përfaqësues të Qeverisë, nga kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Donika Gërvalla.

Kurti e Gërvalla për mediat në Kosovë nuk i kanë bërë të ditura takimet që do t’i zhvillojnë gjatë kësaj vizite, por Demokracia.com ka siguruar agjendën e Forumit Ekonomik të Delphit.

Përveç diskutimeve që zakonisht i bëjnë nëpër korridore e salla që më pas i paraqesin për publikun si takime, Kurti e Gërvalla do të paraqiten vetëm nga një herë në këtë forum.

Kurti, i cili ka udhëtuar të enjten për në Greqi, nuk do të marrë pjesë në diskutime deri në mbrëmjen e së premtes.

Në orën 20:15, siç shihet në agjendën zyrtare që ka siguruar Demokracia.com, Kurti do të mbajë një “diskutim” të hapur me Nektaria Stamouli, gazetare e “Politico”-s.

Ky në fakt është diskutimi i vetëm që do të zhvillojë Kurti dhe sipas agjendës, ai nuk është i ftuar s’i panelist apo pjesëmarrës në ndonjë paraqitje tjetër me liderë të rëndësishëm.

Gërvalla ka udhëtuar dy ditë më herët për në Greqi. Kjo e fundit pritet të mbajë një diskutim me homologët e saj nga Maqedonia e Veriut dhe Sllovakia të premten në orën 10:00.

Tema e këtij diskutimi do të jetë “Evropa pas Ukrainës”, raporton Demokracia.com.

Në fund të ditës së tretë, kur edhe përfundon Forumi Ekonomik i Delphit, nga ora 21:15 pritet të organizohen darka private.

Por, siç theksohet në agjendën e siguruar nga Demokracia.com, pjesëmarrja në darkë është e mundshme vetëm përmes ftesës.

Mbetët të shihet nëse Kurti e Gërvalla kanë marrë ndonjë ftesë nga homologët e tyre për pjesëmarrje në darka.

Agjenda e plotë e forumit të Delphi, e siguruar nga Demokracia.com –  Agjenda e Forumit të Delphi

Kryeministri e kryediplomatja janë dy liderët e vetëm në këtë forum që e përfaqësojnë një shtet.

Në agjendë shihet se pjesëmarrës nuk do të jenë asnjë prej kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përveç Kurtit dhe atij të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq.

Çështjet kryesore të forumit gjatë këtij viti do të jenë siguria globale, ekonomia globale, urgjenca klimatike, e ardhmja e BE-së, ndryshimet teknologjike dhe transformimi ekonomik./Demokracia.com/

Të ngjashme