Lajme
Rahimaj i VV-së merret me punë të mëdha në Spanjë, pasi e bëri zëvendës serbin që shau nënat shqiptare
Demokracia
18:29 | 07 Maj 2022

Share:

Kryetari i Kamenicës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Kadri Rahimaj, e ka propozuar Dalibor Filipoviqin për nënkryetar të komunës dhe i njëjti është votuar në Kuvendin Komunal të Kamenicës.

Demokracia.com ka raportuar sot ekskluzivisht për zgjedhjen e Filipoviqit si nënkryetar në Kamenicë.

FOTO| Komuna e udhëhequr nga LVV-ja e emëron nënkryetar për komunitete personin që i quante nënat gjakovare “egërsira”

Filipoviq në profilin e tij në Facebook në vitin 2016 kishte shprehur admirim për ish-ministrin Jabllanoviq, kur ky i fundit ishte shkarkuar për shkak se i kishte quajtur “egërsira” nënat gjakovare.

Filipoviq në komentin e postimit të tij kishte thënë se “Jabllanoviq është njeri i mirë” dhe se “s’ka gabuar kur i ka quajtur egërsira shqiptarët”.

Ka qenë vetë Rahimaj që nga Spanja ku po qëndron për vizitë me deputeten e VV-së, Fitore Pacolli dhe dy homologët e tij, Qemajl Aliun e Shtimes dhe Alban Hysenin e Gjilanit, që ka konfirmuar se Filipoviq është propozuar për nënkryetar.

Derisa Rahimaj po merret me punë “të mëdha” në Spanjë dhe po kërkon njohjen e Kosovës nga Spanja dhe Ukraina, zëvendësi i tij në ardhje, Dalibor Filipoviq, në Facebook iu kishte referuar Kosovës me termin që e përdor Serbia “Kosova dhe Metohija” dhe thoshte se termi “egërsira” ndaj nënave gjakovare nuk ka qenë aspak gabim.

Nuk dihet nëse Filipoviq është pjesë e ndonjë partie serbe, por ai me profesion është jurist.

Sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje, kjo parti në vazhdimësi kishte kritikuar qeveritë tjera se po emëronin në pozita serbë që fyejnë e nuk e njohin shtetin e Kosovës. Goran Rakiq i Listës Serbe është emëruar Ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës./Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme