Qytetarët e Kosovës kanë treguar interesim të ulët kohëve të fundit për t’u vaksinuar kundër COVID-19. Kjo gjë vërehet edhe në raportet ditore të Ministrisë së Shëndetësisë. Në anën tjetër nga ky dikaster bëjnë të ditur për Demokracia.com, se në stok janë mbi 800 mijë vaksina kundër virusit COVID-19.
Mbi 800 mijë vaksina kundër COVID-19 janë në stoqet e Ministrisë së Shëndetësisë. Nga ky dikaster qeveritar, pavarësisht interesimit nuk kanë treguar për Demokracia.com se deri kur kanë afat ato.
“MSh ka mbi 800 000 vaksina në stok, që të gjitha Pfizer dhe me afat të vlefshëm të përdorimit. Ato kanë afate të ndryshme të përdorimit, varësisht se kur janë prodhuar apo ardhur në Kosovë. Do të shihet në fund të procesit sa vaksina mund të jenë jashtë përdorimit, sepse është evidente se asnjë shtet pothuaj që ka siguruar vaksina të mjaftueshme nuk do të mund t’i përdor të gjitha nëse situata epidemiologjike vazhdon të jetë e qetë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Demokracia.com.
Sipas MSH-së, për shkak të interesimit të ulët të qytetarëve për t’u vaksinuar, edhe shtetet e BE-së kanë bërë asgjësimin e vaksinave për shkak të skadimit të afatit.
“Për informacionin tuaj, shtetet e G-7 dhe të BE-së në mars kanë pasur rreth 240 milionë doza që do t’u skadonte afati, ky është një njoftim i Kombeve të Bashkuara, ndërsa para dy ditësh Danimarka ka bërë të ditur se do të asgjësojë mbi 1 milion vaksina të Pfizer për shkak se nuk kanë mundur të përdoren”, ka thënë kjo ministri për Demokracia.com.
Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se deri në ora 14:00 të ditës së sotme janë vaksinuar rreth 250 persona.
“Deri në ora 14:00, sot ka pasur rreth 250 të vaksinuar, që tregon për një fillim të një ngritjeje të lehtë të vaksinimit, menjëherë pas muajit të Ramazanit, kur numri ishte më i vogël. Por, kjo i përgjigjet edhe faktit që një shumicë e konsideruar tashmë janë vaksinuar, që tregohet edhe përmes faktit se Kosova ka më së shumti të vaksinuar në raport me të gjitha vendet fqinje për kokë banori”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Demokracia.com.
Gjithashtu, sipas kësaj ministrie, është duke vazhduar edhe vaksinimi i rregullt i fëmijëve, vaksinimi kundër Difterias, Tetanusit dhe Gripit e Fruthit.
LEXO EDHE:
A po rrezikohet Kosova nga një epidemi e re? – Flet infektologu Hamdi Ramadani
“Sa i përket programit të rregullt të vaksinimit, ky program në Kosovë vazhdon çdo vit me rregull dhe Kosova njihet me shkallë të lartë të vaksinimit të fëmijëve nga Programi i Zgjeruar i Imunizimit (PZI), ku bëjnë pjesë vaksinat që i keni përmendur, me një shkallë rreth 90% të vaksinimit. Vaksinat edhe për sivjet, besojmë edhe për vitet në vijim, gjithmonë janë siguruar me kohë në bashkëpunim edhe me UNICEF-in”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Në raportin 24 orësh të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se janë dhënë 36 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Ndërkaq, që nga fillimi i procesit të vaksinimit në vendin tonë janë dhënë gjithsej 1.826.287 doza të vaksinës, 822.059 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë dhe 101.649 me doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19. /Demokracia.com/