Lajme
Aktivistët e LVV-së në krye të spitaleve e klinikave, “reforma e thellë” e sistemit shëndetësor për të cilën foli sot Kurti
Demokracia
13:34 | 07 Prill 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Ditën Botërore të Shëndetit, siç bën për shumë çështje, ia ka lënë qeverisjes së tij meritat për menaxhimin e pandemisë Covid-19.

Shkrimi i gjatë i Kurtit në llogarinë e tij në Facebook, vjen vetëm pak ditë pasi Demokracia.com raportoi ekskluzivisht për emërimin e aktivistëve të LVV-së në krye të dy spitaleve rajonale, ani pse nuk i plotësuan kriteret e nevojshme.

Kurti ka thënë se sistemi shëndetësor ka nevojë për një reformim të thellë, të cilin siç duke tash po tenton ta bëjë përmes emërimit të personave të afërt me partinë e tij në krye të spitaleve e klinikave.

“Mirëpo, menaxhimi i suksesshëm i pandemisë është vetëm fillimi, jo mbarimi i punës sonë në fushën e shëndetësisë. Madje, pikërisht për shkak të ballafaqimit me pandeminë, jo vetëm rëndësia por edhe brishtësia e shëndetit publik, është bërë më e qartë dhe e dukshme tani sesa kurrë më parë. Pandemia veçse ka nxjerrë në sipërfaqe domosdoshmërinë e një reformimi të thellë në të gjithë sistemin shëndetësor të vendit tonë”, ka thënë Kurti.

Demokracia.com vetëm pak ditë më parë ka raportuar për zgjedhjen e Arsim Eminit në krye të spitalit të Gjilanit, ani pse ndryshe prej kundërkandidatëve të tij, nuk i kishte plotësuar asnjëren prej kritereve të nevojshme.

I njëjti nuk e ka të kryer magjistraturën, e as doktoraturën, por është vetëm specializant.

FOTO| Përkrahësi i LVV-së bëhet drejtor i spitalit në Gjilan pa magjistraturë e doktoraturë, kryesuesja e Bordit të SHSKUK-së për favorizimin e tij

Veç kësaj, edhe kirurgu Fazli Shala i cili u anëtarësua në LVV gjatë vitit 2020, është zgjedhur drejtor i spitalit të Pejës.

Edhe ky njëjtë, ka pasur më pak pikë në CV se sa kundërkandidati i tij, Shkëlzen Elezaj.

FOTO| Përkrahësi i LVV-së bëhet drejtor i spitalit në Gjilan pa magjistraturë e doktoraturë, kryesuesja e Bordit të SHSKUK-së për favorizimin e tij

Demokracia.com kishte raportuar se në SHSKUK ka pasur pakënaqësi të shumta ndaj Agreta Gecaj – Gashit, kryesueses së bordit e cila është e afërt me LVV-në.

E njëjta dyshohet se kishte shtyrë doktorët e tjerë të afërt me LVV-në dhe Listën Guxo për drejtorë të klinikave, gjë që i kishte shqetësuar kandidatët e tjerë.

Këto nuk janë ankesat e vetme ndaj Gecaj – Gashit. Në fillim të muajit mars disa deputetë të Kuvendit të Kosovës kërkuan që të shkarkohet i gjithë Bordi i SHSKUK-së, duke theksuar se në vitin 2021 janë bërë rreth 20 mijë operacione më pak.

Veç kësaj, Demokracia.com kishte publikuar edhe video të incizuara kundërligjshëm të një telefonate që Gecaj-Gashi ishte duke e zhvilluar me një doktor, por kishte publikuar edhe dokumente që vërtetojnë se ajo nuk e kishte respektuar as orarin e punës, duke u paraqitur shumë rrallë në detyrë, duke shkelur edhe rregullat e disiplinës, ku janë publikuar edhe foto të saj duke konsumuar duhan brenda objekteve të QKUK-së./Demokracia.com/

Të ngjashme