Lajme
Anëtarët me libreza të LVV-së: Kush janë personat që Kurti i rehatoi nëpër borde gjatë një viti qeverisje?
Demokracia
14:33 | 02 Prill 2022

Share:

“Nuk do të ketë më anëtarë të bordeve me libreza të partive politike”, kjo ishte deklarata e Albin Kurtit para se të ulej në karrigen e kryeministrit. Sidoqoftë, me t’i fituar zgjedhjet e tetorit të vitit 2019, Kurti nisi t’i shpërblejë personat e afërt me partinë e tij me pozita të ndryshme, duke përfshirë edhe emërime nëpër borde.

Njëjtë siç kishte vepruar gjatë herës së parë kur u bë kryeministër, Kurti edhe kësaj here ka zgjedhur që nëpër borde t’i rehatojë njerëzit e afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, raporton Demokracia.com.

Partia që gjatë gjithë kohës sa ishte në opozitë e kritikonte pushtetin për nepotizëm, sot i ka vendosur anëtarët e saj nëpër plot institucione, ministri e spitale.

Demokracia.com ka bërë një përmbledhje me disa prej personave të afërt me LVV-në, të cilët janë emëruar anëtarë të bordeve të ndryshme vetëm gjatë Qeverisë Kurti 2:

Të parën që Qeveria Kurti 2 e rehatoi në bord është Shkurte Aliu, motra e deputetit të LVV-së nga Gjilani, Luan Aliut.

Kjo e fundit, në maj të vitit 2021 ishte emëruar anëtare e Bordit të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Vendimi ishte marrë nga ministri Hajrulla Çeku.

Evetar Zeqiri është personi tjetër që përfitoi nga Qeveria Kurti 2. Ky i fundit, në qershor të vitit 2021, u emërua anëtar i Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike KRU “Prishtina”.

Ai është edhe vëllai i gruas apo miku i kandidatit për deputet nga LVV, Mentor Hysenit.

Evatar Zeqiri në mandatin e parë të Qeverisë Kurti ka qenë edhe kryesues i Bordit të Ujësjellësit KRU “Prishtina”.

Në janar të këtij viti, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka emëruar në Bordin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj babanë e ish-kandidates për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Sala Gashi-Loku.

Hazir Gashi në mbledhjen e 14 janarit ishte zgjedhur edhe zëvendëskryesues i këtij Bordi, raporton Demokracia.com.

Trepça është një ndërmarrje tjetër për të cilën Kurti flet shumë. Kështu, siç duket ai ka vendosur që në bordin e kësaj ndërmarrje ta emërojë një person të besuar të tij.

Më 2 shkurt të vitit 2022, Bujar Bilalli u zgjodh anëtar i Bordit të ri të Trepçës. Ky i fundit, kishte qenë kandidat i LVV-së për Asamble Komunale të Mitrovicës gjatë zgjedhjeve lokale në vitin 2013.

Bilalli asokohe renditej me numrin 17 në listën e Vetëvendosjes në garën për asamble dhe kishte marrë vetëm 81 vota.

Demokracia.com pak ditë më parë ka raportuar se edhe vajza e një aktivisti të LVV-së është propozuar për anëtare të bordit të KRPP-së nga kryeministri Albin Kurti.

Fidane Spahija-Gjikolli është vajza e aktivistit të LVV-së, Hidaverid Spahija. Ky i fundit është i afërt me kryeministrin Kurti, raporton Demokracia.com.

Daja, tezja, halla | Vajza e anëtarit të LVV-së propozohet nga Kurti për anëtare të bordit në KRPP

Madje, të dy janë parë bashkë edhe në një dasmë, aty ku supozohej sipas Kurtit ta kishin vendin familjarët.

Qeveria pak pasi mbushi Bordet e Ndërmarrjeve Publike, kishte bërë ndërhyrje edhe në universitetet e vendit.

Ish-kandidati për kryetar të Pejës dhe më pas kandidat për deputet nga LVV, Bashkim Nurboja, pak muaj pasi u zgjodh anëtar i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, filloi punën si profesor në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.

Kurti ka bërë edhe kalkulime të tjera në këtë universitet. Merisha Kalaç Kaçamakoviç nga anëtare e bordit, ka kaluar si pjesë e stafit akademik të këtij universiteti.

Qeveria Kurti II kishte emëruar në Bordin e këtij universiteti kishte dërguar edhe bashkëshorten e Xhevdet Pozharit, analistit të afërt me Vetëvendosje dhe përkrahësin e zjarrtë të saj, Emine Abdyli Pozhari, raporton Demokracia.com.

Ndërkaq, edhe gjatë vitit 2020, kur u bë kryeministër për herë të parë, Kurti emëroi në borde persona të afërt me të, gjë të cilën e kishte pranuar edhe vetë.

Kurti kishte thënë se “ka bërë mirë” që i ka vendosur njerëzit e LVV-së aty, pasi sipas tij, kishte vetëm dy opsione: t’i vendoste ata nëpër borde ose të mos bënin asgjë për disa javë./Demokracia.com/

“Dasma” e Qeverisë Kurti me të punësuar nëpër ministri, spitale e Postë

 

Të ngjashme