Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti veç se kanë nisur punën për shuarjen e Drejtorisë së Përgjithshme në MPJD, një prej pozitave më të rëndësishme në këtë institucion. Ish-ambasadorit gjerman në OSBE, Heiner Horsten, në vitin 2018 pas bisedimeve mes disa përfaqësuesve kosovarë dhe gjermanë, i ishte kërkuar që për tre javë të përcjellë punën e këtij institucioni dhe më pas të formulojë një raport.
Demokracia.com e posedon raportin në fjalë, ku ish-ambasadori Horsten, njëherit ekspert gjerman, e kishte vlerësuar lartë strukturën organizative të MPJ-së atë kohë, ku përmendet se Drejtori i Përgjithshëm dhe Sekretari i Përgjithshëm janë asistentë eprorë të ministrit.
Megjithatë, nëse plani i Gërvallës dhe Kurtit realizohet, të gjitha kompetencat e Drejtorit të Përgjithshëm, do t’i kalojnë në duar Sekretarit të Përgjithshëm.
Demokracia.com disa ditë më parë ka raportuar për rregulloren e re të MPJD-së, të cilën e ka nënshkruar vet kryeministri Kurti.
Demokracia.com ka mësuar se ministrja Gërvalla dhe zëvendësministrja Liza Gashi po synojnë ta forcojnë pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm, pasi aty e kanë tani të preferuarin e tyre Behar Ismën, për emërimin e të cilit po ashtu e shkelën ligjin.
E gjithë kjo, bie në kundërshtim me raportin e ish-ambasadorit Horsten, i cili në përfundimet e tij pas vrojtimit që ia kishte bërë MPJ-së, nuk kishte kërkuar shuarjen e kësaj Drejtorie.
Në një prej pikave të shumta të raportit të cilin e ka siguruar Demokracia.com, thuhet se struktura organizative e MPJ-së ndjekë një linjë klasike.
Horsten e cilësonte Drejtorin e Përgjithshëm si këshilltar kryesor politik të ministrit i cili i ka nën udhëheqje tetë departamente politike.
“Struktura organizative e MPJ-së ndjek në sipërfaqe të paktën një strukturë linje klasike, e cila i nënshtron të gjitha detyrat politike ose jo, asistentëve eprorë të ministrit në funksionet e Drejtorit të Përgjithshëm dhe Sekretarit të Përgjithshëm. Drejtori i përgjithshëm është këshilltari kryesor politik i ministrit dhe i ngarkuar me ekzekutimin e vendimeve të ndryshme në këtë fushë përmes tetë departamenteve politike nën autoritetin e tij. Sekretari i Gjenerimit ka autoritetin operativ për të gjitha funksionet e tij ministrore që duhet të ndihmojnë në përformancën e tij politike (Çështjet e legale, Protokolli ose Çështjet Konsullore)”, thuhet në këtë raport.
Më tutje ai kishte raportuar se struktura organizative e MPJ-së, kur nuk ishte e bashkuar me atë të Diasporës, është e pasqyruar në mënyrë adekuate dhe se departamentet janë caktuar në formë korrekte.
“Kaq për teorinë rreth strukturës organizative të ministrisë e cila është pasqyruar në mënyrë adekuate. Departamentet e ndryshme janë caktuar në mënyrë korrekte dhe të pajisura mjaftueshëm (stafi dhe burimet materiale) është përtej njohurive të mia duke pasur parasysh fokusin e ndryshëm dhe kufizimet kohore të këtij studimi”, thuhet tutje.
Me organogramin e MPJD-së, nën ombrellën e Drejtorisë së Përgjithshme kanë funksionuar këto departamente: Departamenti i Planifikimit të Politikave, Departamenti për Evropë dhe BE, Departamenti për NATO dhe politika të sigurisë, Departamenti për Marrëdhënie Dypalëshe, Departamenti për Marrëdhënie Rajonale, Departamenti për Diplomaci Ekonomike, Departamenti për Organizata Ndërkombëtare dhe Departamenti për Çështje Politike.
Me rregulloren e re dhe shuarjen e Drejtorisë së Përgjithshme, Departamenti për Evropë dhe BE shndërrohet në Departament për Evropë, BE dhe Rajon.
Po ashtu, me këtë rregullore do të krijohen departamente të reja si Departamenti për Afrikë dhe Lindjen e Mesme, që do të ketë disa divizione, si Divizionin për Afrikën Nënsahariane, Departamentin për Azi dhe Oqeani, Divizionin për Azinë, Divizionin për Azinë Juglindore dhe Oqeaninë. Një tjetër departament do të jetë edhe ai për Diasporën./Demokracia.com/
DOKUMENTE| Kurti e Gërvalla po e shuajnë kundërligjshëm Drejtorinë e Përgjithshme në MPJD