Arte
Kurimi dhe dokumetimi i traditës ushqimore përmes “Ditarit Ushqimor të Prizrenit” nga Jeton Jagxhiu
Demokracia
20:24 | 25 Qershor 2021

Share:

‘Ditari Ushqimor i Prizrenit’ prej pothuajse një viti na vjen përmes Jeton Jagxhiut, i cili përmes fjalësh dhe fotografish dokumeton traditën ushqimore të Prizrenit. Mirëpo ky proces dokumentimi tejkalon qëllimin e tij primar, duke u shëndrruar në art mbi art, përmes përshkrimesh të përzgjedhura të cilat përpos informimit na ngjallin kënaqsi, duke na nxitur të imagjinojmë kohë e histori të largëta.

Nëse kuzhinën e konsiderojmë si art, atëherë ajo që bën Jeton Jagxhiu është një koleksionim e arkivim i relikteve artistike dhe duke i sjellë ato tek ne me një përzgjedhje fjalësh  të cilat vetëm si të tilla na sjellin kënaqësi, që është e ngjajshme me atë kur provojmë pas një kohe të gjatë një ushqim të preferuar të fëmijërisë, me nostalgjinë që sjellin kujtimet, e me ëndjen që i përshkon shqisat.

Mjeshtria e fjalëve të Jetonit bashkohet me pasionin e tij për ushqimin tradicional duke krijuar një simbiozë ku mes fjalësh e përshkrimesh priremi të gjejmë veten duke udhëtuar në kohë sikur përmes ndonjë përralle.

Pas një viti të plotë pune, Jetoni e përfundoi procesin e dokumentimit të “Ditarit Ushqimor të Prizrenit”, ndërsa për Demokracia.com, ai na tregon më shumë për realizimin dhe përvojën e tij  në këtë proces.

Demokracia.com: Si dhe kur ka nisur “Ditari Ushqimor i Prizrenit”?

Jeton Jagxhiu: Ditarin kam filluar t’a bëj nga java e parë e korrikut të vitit të kalum. Ka qenë një ide e vjetër për me dokumentu ritmin e Pazarit të Prizrenit, dmth. dokumentimin e sezonit të daljes së pemëve, perimeve, djathnave e hajeve tjera në Pazar gjatë tanë vitit. Kam pas fillu me e ba këtë hulumtim para do vitesh, por pastaj për shkak të obligimeve tjera, pas dy muajsh e pata ndërprerë dokumentimin e saj. Kur u paraqit pandemia e bashkë me të edhe mundësia për më shumë kohë të lirë për mua, mu kujtu se tash o kurrë duhem me e ba, se ku me dijt kur përsëri paraqitet një rast i tillë.

Nuk mendova shumë, si për temat, përmbajtjen apo strukturën e këtyne postimeve që po shihni, vetëm se mu kujtu që ndoshta krejt këtë proces kisha mujt me e ba nëpërmjet rrjeteve sociale(për dallim prej idesë fillestare të marrjes së  shënimeve në fletore).  Arsyeja kryesore pse rrjeti social mu duk medium interesant per dokumentim është interaksioni me të tjerët.  D.m.th. gjatë këtij procesi të tjerët kanë me mujt me plotesu ose korrigju këto informata, gjë që në  këtë punë është shumë me rëndësi. Unë komplet këtë hulumtim e baj vet, prandaj nga ndihma e të tjerëve, nga komentet e sygjerimet e tyne kam shumë dobi.

E tash vetvetiu dalja në medium social, më ka imponu qëllime të reja. Kështu pos qëllimit fillestar të dokumentimit, nga dalja në Facebook  mu imponu si qëllim edhe promovimi i tyne. Pse përndryshe dikush do të lexonte një ditar javor në  formë të një raporti të thatë se çka ka pas javën e kalume në  Pazarin e Prizrenit?

Përfundimisht vendosa për këtë format derisa nuk fillova me shkru.

Demokracia.com: Si ka qenë procesi i mbledhjes së traditave ushqimore?

Paj kështu, epiqendra e hulumtimit nis nga Pazari I Prizrenit. Une shkruaj veç për ato haje qe ia nisin prej këtij Pazari. Ne fakt janë disa Pazara, nja 5 a 6 sosh në qytet dhe po aq në qytezat që gravitojnë në Prizren. Pazare javore ka në Xërxë, Rahovec, Suharekë, Dragash, Rogovë të Hasit dhe Brodosane. Gjithashtu me rëndësi  është me theksu se më interesojnë vetëm produktet nga këto rajone që gravitojnë Prizrenit, se në këtë Pazar ka edheBostan nga Brazili. Nuk më interesojnë të tjerat se me to nuk është kriju tradita ushqimore e këtij qyteti.

Produktet që tradicionalisht kanë ardhë në këtë Pazar nga më larg se rajoni i Prizrenit kanë qenë vetë mullini, peshku i thatë e krypangarajoni i Shkodrës, maza nga Peja, djathnat nga Sjenica, proshuta nga Sanxhaku dheçaji e erzat e ndryshme nga gjithë mesdheu. Te gjitha hajet e pijet e tjera i ka pas rajoni i Prizrenit.

Për me qenë ma i saktë, traditat ushqimore të një vendi krijohen kur hajet konsumohen së paku nga dy gjenerata të plota, prandaj nuk kishte kuptim me regjistru Papajat e të tjerat. Gjithashtu i kam injorue dhe produktet e krijume në serra, sikur regjistrimin e dredhëzave në muajin janar, etj.

Por e kam regjistru të themi dredhëzat në reçel  në muajin janar, si pjesë e traditës tonë ushqimore. Kam regjistrue dhe Bostanin e Dimnit, që fal teknikës tradicionale, traditës së ruajtjes së sajdhe farës speciale mund të hahet i freskët mu në mes të dimnit. Pos regjistrit nga Pazari javë për javë kam shkrue dhe për gatimet tradicionale, traditën e gjelletoreve, furretaret hasjane, ambëltoret e goranëve, turshitë, farrat vendore, mullinjet e ujit dhe plot traditaushqimore të tjera të rajonit të Prizrenit.

Shumë lexues mendojnë se unë i di të  gjitha për hajet e rajonit, në fakt është thuajse krejtë e kundërta. Vërtet kam shkru për ushqimet radicionale edhe më herët, bile kam pas botu edhe një libër, por unë udhëtoj shumë në rajon dhe i pyes shumë të tjerët. Dal në Pazar, fotografoj, marr shënime, gjej persona adekuat për intervistime lidhun me temën e javes, pastaj ulem e shkruaj, i editoj fotot shkurtimisht dhe pa i lektoru e pa korrigju (shpesh nuk i lexoj as për herë të dytë) i postoj ne Facebook.

Pastaj fillojnë reagimet, komentojnë, dikush me sygjeron naj korrigjim a temë e kështu organikisht ndërtohet Ditari Ushqimor o Prizrenit – sikur xhirimi i ndonjë filmi dokumentar ku ti nuk e din se si ka me përfundu.

Demokracia.com: Cilat kanë qenë vështirësitë me të cilat jeni përballur?

Jeton Jagxhiu: Në fillim ishte shumë kënaqësi, derisa nuk e  vërejta se pavetëdijshëm kisha fillu me sharru thellë e ma thellë në  këtë muhabet të pa fund. Nga një “punë e lehtë” që do të më merrte një ditë e hajt edhe dy në maksimum, nga java në javë ky ditar mu shëndrru ne gazep.

Për me kuptu traditat ushqimore të një vendi duhet me e njoftë gjeografinë dhe kulturën e saj-  te dy domenë që nuk janë të mijat. Ndërsa me profesion jam inxhinjer i diplomum i teknologjisë grafike, pas disa javësh ja nisa me pyt veten – çka jam tu ba, e pse i hina kësaj pune?

Se për me i  kuptu këto gjëra mu ka dasht me lexu shumë literaturë për gjeografi, histori te rajonit, ekoniminë e saj në të kalumen, kulturat bujqësore e blegtorale, sociologji, antropologji etj, .. Kështu kam lexu shumë udhë përshkrues që kanë kalu nga rajoni ynë për me pa se çka kanë hanger, me gjet literaturë nga historia ekonomike e qytetit, dmth. cka ka prodhu rajoni e cka ka eksportu, me nxjerrë shënime nga kanuni i mretit Dushan, historinë e sistemit paraindustrial të ujitjes së Prizrenit, krahasimin e saj me shoqnin hidraulike ne Egjiptin e vjetër, artin në kohen e Barokut, e po pritoj me i numru të tjerat, po ma tepër se 50 libra të ndryshëm mu dasht me i lexu për me mujt me ia kriju kontekstin. I kam citu në ditar.

Psh. për me valorizu Djathin e Sharrit po duhet me lexu literature për zonat blegtorale në Europë, historinë e djathnave të saj, teknikat qysh janë ba, me bisedu me veterinar, me msu sasinë e prodhimit të tyne etj. Tash të gjitha këto me kanë kriju vështirësi, se nuk është profesioni im dhe në fillim kam njoft pak njerëz që merren me këto fusha. Këtë  gazep nuk e kisha mendu në fillim, por ja pata nis dhe pas disa javesh nuk kish mundësi për mu kthy mbrapa. Kroatet për këtë kanë një thanje, “kad je bal nek je-bal”, që i bjen se duhet me shku deri në fund të diçkaje.

Demokracia.com: Për sa kohë do të vazhdoj?

Jeton Jagxhiu: Pra kështu, jam para përfundimit të ciklit një vjeçar prej 52 javësh. 52 javë i ka viti, ndërsa deri me tani kam postu 48 javë të Ditarit Ushqimor të Prizrenit. Edhe 4 më kanë mbet por sikleti se nuk ka me ja dalë hala është aty.

Pastaj po mendoj me i  marrë të gjitha postimet, me i redaktu, me i lektoru, korrigju e me i plotësu- me ba sikur montazhën e një filmi dokumentar. Ne fund duhem me gjetë një botues, me e shtyp në një libër.

Demokracia.com: Cili është qëllimi?

Jeton Jagxhiu: Nga ideja fillestare e dokumentimit, qellimi avancoi në vlerësim të këtyne hajeve, e derisa rrugës së krijimit të këtij ditari mu kujtu se meqë si inxhinjer e kam merak me i ba hesap gjanat, duhem me gjetë një formë të llogaritjes së trashigimisë ushqimore. Du me qit një formulë me të cilën mundesh me llogaritë trashigiminë ushqimore të cilitdo vend në botë. Ndoshta del ndonjë dobi prej kësaj pune.

 

Në këtë “hartë mendore” janë përmbledh shumësitë Ushqimore të Pazarit të Prizrenit të cilat burojnë nga gjeografia, kultura dhe tradita e gjatë e secilit rajon. Keshtusecilaprejtynekaadutinushqimor kryesor ne Pazar -me diçka të veten është kampion. Arpaxhiku, Djath i Sharrit, Pastërma e Dhenëve, Mishi i Lopës, Ajvari, Polloshka, Rrushi, Gështenjat, Krapi, Mjalta me Arra apo Xhiza, gjithësecila ka adresat e veta. Bile, bile, mbrenda tyne secila qytezë a fshat, e ka “numrin” e vet.

Shumësitë e tyre e bëjnë Pazarin e Prizrenit të duket si mu kon i përsosun – pos krypës e vajit të ullinit, të tanat i gjen në to. Keshtu kur përfundojnë në tryezat tona, keto produkte njana me polenizohen, mbledhen e shumëzohen, eksponencializohen, integrohen apo edhe derivohen, për me u fenomenalizu përfundimishtë në piatat tona të përditshme ushqimore.

Të themi, për sugjuk prizreni të vyn mish i bluem nga lopa e Hasit, një bisht Dashi nga Gora, qepë nga bahçet e qytetit, dëllinja për tharje nga Podguri dhe biber të kuq nga Podrima. Nëse pranë  tij servohet të  themi rrushi, duhet me ja shtu edhe Rahovecin.

Me këtë meze të thjeshtë, njeri udhëton nëpër gjashtë rajone krejtësishtë të ndryshme gjeografike e kulturore. Skaj më skaj, nga bregmalet shkëmbore të Pashtrikut, kapërcen Drinin e drejt ngjitet në kullosat alpine me lule të egra, pastaj zbret pak kah ky shehër i bukur, për mu ngjit përsëri në male tjera për dëllinja, prej nga nëpër vneshta me hardhia krejt në fund të saj, del në fushat e mirëujituna pranë lumit Drini i Bardhë.

Të gjitha këto rajone (me mbi 200 vendbanime), janë të popullume dhe kanë kultura të vet të cilat janë zhvillu me mijëra vjet. Për më tepër, ato mes veti dallojnë hala ma shumë; ndaç thuj me gjuhë, ndaç me fe e ndaç me tradita. E kjo nuk është punë e vogël, prandaj njeri kur han Suxhukun e Prizrenit, nuk ka si mos me u fenomenalizu hala më shumë./Demokracia.com/

 

 

 

 

Të ngjashme
Intervista • 24 Prill 2024