Lajme
8 vjet burgim ndaj të akuzuarit për grabitje në një pikë të karburanteve dhe në një market në Gjilan
Demokracia
15:14 | 17 Janar 2023

Share:

Gjilan– Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit S.I., për akuzën se ka kryer grabitje të armatosur në pikën e karburanteve “V.Petrol” dhe në marketin “T” në Gjilan.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo gjykatë, ku thuhet se pas pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarit, gjykatësi i vetëm gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, ka shqiptuar dënim unik prej 8 vitesh burgim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Me datë 16.01.2022, rreth orës 23:30, në rrugën magjistrale Gjilan – Prishtinë në pikën e karburanteve “V. Petrol”, i pandehuri me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo tjetrin, ka grabitur para nga i dëmtuari B. R., në atë mënyrë që i njëjti me maskë në fytyrë dhe i veshur me rroba të zeza, me armë në dorë ka shkuar tek kjo pikë karburante me kanosje ka marr nga i dëmtuar shumën 250 Euro para të gatshme dhe është larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se më 28 nëntor 2022, rreth orës 22:20 minuta në magjistralen Prishtinë – Gjilan në marketin “T” në dalje të Gjilanit, i pandehuri me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo tjetrin, hyn i armatosur me pistoletë dhe i veshur me maskë në fytyrë dhe nën kanosjen me armë arrin që nga punëtori – arkëtari t’i marrë 2 mijë e 350 euro dhe 50 franga zvicerane dhe nga situata e krijuar, intervenojnë punëtorët e këtij marketi, konfrontohen me të pandehurin dhe arrijnë që fillimisht të dyshuarin të shtrijnë për tokë e pastaj ia marrin pistoletën të cilën po e mbante në dorë dhe pas kësaj të njëjtin e mbajnë të shtrirë derisa në vendngjarje arrijnë njësitë policore për ta arrestuar.

Me këto veprime, i pandehuri ngarkohej se ka kryer dy vepra penale të “Grabitjes” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit me aktvendim të veçantë dhe në kuptim të nenit 366 paragrafi 3 të Kodit të Procedurës Penale, i konfiskohet pistoleta e tipit Browing 7.65 mm dhe një karikator me katër fishekë”, thuhet në njoftim.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Të ngjashme