Koronavirusi ka prekur edhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, mirëpo asnjë nuk ka ndërruar jetë nga ky virus.
Që nga paraqitja e rasteve të para me koronavirus në muajin mars të vitit të kaluar e deri më sot, në Kosovë gjithsej janë 61 mijë e 86 persona të cilët janë infektuar me COVID-19, raporton Demokracia.com.
Në mesin e tyre ka edhe pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ibrahim Shala, drejtor i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në Ministrinë e Mbrojtjes, ka bërë të ditur për Demokracia.com, se deri në fund të muajit janar të këtij viti kanë qenë 245 pjesëtarë të FSK-së të infektuar me COVID-19.
Sipas tij, asnjë pjesëtar i FSK-së nuk e ka humbur jetën nga ky virus.
“Nga data 12.03.2020 deri më 28.01.2021 gjithsej janë 245 pjesëtarë të FSK-së që kanë rezultuar pozitivë me COVID-19. Asnjë pjesëtarë i FSK-së nuk ka ndërruar jetë nga infeksioni me COVID-19”, ka treguar Shala për Demokracia.com.
Në anën tjetër, Demokracia.com, ka raportuar javën e kaluar se kanë qenë 14 pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët kanë ndërruar jetë si pasojë e koronavirusit, përderisa janë 1 mijë e 383 janë infektuar.
Lexo edhe:
14 pjesëtarë të Policisë së Kosovës humbën betejën me koronavirusin
Theksojmë se deri më sot në Kosovë janë testuar 240 mijë e 696 persona të dyshuar për COVID-19, ku 61 mijë e 86 kanë rezultuar pozitivë.
Po ashtu, sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), që nga marsi i vitit të kaluar e deri më sot në vendin tonë janë gjithsej 1 mijë e 509 persona të cilët kanë humbur jetën nga koronavirusi, përderisa 53 mijë e 17 persona kanë arritur që të shërohen plotësisht.
Aktualisht në Kosovë janë 66 mijë e 560 raste aktive me koronavirus.
Vlen të theksohet se Kosova tashmë ka regjistruar edhe rastet e para të variantit të ri britanik të koronavirusit dhe sipas të dhënave zyrtare, janë tre persona që kanë rezultuar pozitivë me këtë variant. E gjithë kjo është bërë e ditur pas mostrave që IKSHPK-ja i kishte dërguar në Gjermani. /Demokracia.com/