Lajme
14 pjesëtarë të Policisë së Kosovës humbën betejën me koronavirusin
Demokracia
20:01 | 31 Janar 2021
Ilustrim

Share:

Që nga paraqitja e rasteve të para me koronavirus në Kosovë e deri më tani janë infektuar mbi 1 mijë e 300 punonjës të policisë, ndërsa 14 prej tyre kanë humbur jetën si pasojë e virusit. Sidoqoftë, në një përgjigje për Demokracia.com nga ky institucion thonë se përkundër angazhimeve të shumta, janë realizuar me sukses të gjitha detyrat dhe planifikimet operacionale.

Më 13 mars të vitit 2020 në Kosovë janë paraqitur rastet e para të infektuara me virusin COVID-19, e që pasoi me izolim të vendit dhe angazhim më të madh të policisë.

Zyrtarët e këtij institucioni pothuajse përgjatë një viti janë duke u kujdesur për mbarëvajtjen e situatës me pandeminë, përkrah institucioneve të tjera kompetente.

Lidhur me menaxhimin e pandemisë, Demokracia.com ka pyetur Zyrën për Informim të Policisë së Kosovës.

Nga ky institucion, kanë thënë se deri më tani nga koronavirusi janë prekur 1 mijë e 383 punonjës, ndërsa 14 prej tyre kanë fatkeqësisht kanë humbur betejën me koronavirusin.

“Që nga fillimi i pandemisë e deri më tani janë infektuar mbi 1383 punonjës të Policisë së Kosovës. Që nga fillimi i pandemisë janë 14 punonjës të Policisë së Kosovës që kanë humbur jetën si pasojë e pandemisë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Mes tjerash, nga policia kanë thënë për Demokracia.com se zyrtarët policor të infektuar me koronavirus kanë qenë nga njësite dhe rajone të ndryshme.

Në fund, PK-ja ka konfirmuar se përkundër angazhimeve të shumta, janë realizuar me sukses të gjitha detyrat dhe planifikimet operacionale.

“Policia e Kosovës edhe gjatë pandemisë edhe përkundër shumë angazhimeve dhe sfidave të shumta ka arritur me sukses t’i realizoj të gjitha detyrat dhe planifikimet operacionale”, bëhet e ditur në përgjigjen e tyre për Demokracia.com.

Kujtojmë se numri total i rasteve pozitive me koronavirus është 60 mijë e 218 nga 233 mijë e 532 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1 mijë e 498 raste të vdekjes.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 52 mijë e 437 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6 mijë e 283. /Demokracia.com

Të ngjashme