Lajme
23 vjet nga “Nata e Tmerrit”, Beqiri: Asnjëherë nuk u tha se “Mitrovica është e lirë”
Demokracia
18:44 | 03 Shkurt 2023

Share:

Në përvjetorin e 23-të të masakrës së 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë, për emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova ka folur gazetari, Mon Beqiri, i cili ishte raportues i asaj nate në Mitrovicës.

Beqiri përmes lidhjes telefonike, tha se Mitrovica nuk u lirua asnjëherë dhe as sot nuk ka liri.

Sipas tij, e vetmja lëvizje deri në qendër të veriut nga shqiptarë ka ndodhur vetëm njëherë para disa vjetësh, ku disa përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë në shoqërimin e KFOR-it, kishin kaluar urën e Ibrit, kishin shkuar deri në qendër të veriut dhe ishin kthyer brenda ditës.

Gazetari Beqiri  u përqendrua në natën e 3 dhe 4 shkurtit e vitit 2000, e njohur ndryshe si “Nata e Tmerrit”.

“Atë natë kur kam raportuar, e kam cilësuar këtë natë si Nata e Bartolomeut dhe ajo dihet se si ka ndodhë, prandaj më sugjeruan dhe më thënë mos është referencë e rëndë.

Por më 3 dhe 4 shkurt, mitrovicasit kanë shpresuar që do të jenë të mbrojtur në anën veriore të qytetit, por ata nuk ka qenë. Serbët atë natë në të gjitha format e mundshme dhe të imagjinueshme që ata mund të bëjnë, kanë vepruar mbi shqiptarët në veri, duke përdorur bomba, dhunë, dhe metoda të dhunshme për të dëbuar shqiptarët nga shtëpitë e banesat e tyre në veri”, deklaroi Beqiri.

Ai sqaroi se atë natë u bë spastrim i kulluar etnik dhe u vranë 10 shqiptarë, kurse 25 tjerë u plagosën.

“Atë natë është bërë një spastrim etnik i kulluar, siç thonë. Dhe nga ajo natë, nuk jetojnë më 10 shqiptarë në veri. Unë kam edhe listën të vrarëve atë natë në veri. Ata janë: Bashkim Rukeci, Muharrem Sokoli, Shqipe Voca, Nezir Voca, Nderim Ajeti, Selime Berisha, Remzije Canhasi, Niman Sejdiu, Nexhmije Xhaka dhe Sebahat Abrashi. Pos këtyre të vrarë, kanë qenë edhe 25 tjerë të plagosur”, tregoi gazetari Beqiri.

Në natën e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, u dëbuan dhunshwm rreth 12 mijë shqiptarë nga jugu i Mitrovicës për në pjesën e jugut të qytetit, duke e caktuar ndarjen përmes urës së lumit Ibër.

Të ngjashme