Lajme
21 tetori – Data e ultimatumit për Kosovën dhe Serbinë
Demokracia
15:22 | 17 Tetor 2023

Share:

Dy data kryesore për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë: 21 tetori dhe 5 nëntori.

Më 21 tetor, QUINT-i do të vendosë në tryezë dokumentin ultimativ merre ose leje, i cili do të mbetet në tryezë deri në fillim të nëntorit.

Nëse nuk ka përgjigje, atëherë do të ndodhë e kundërta e asaj çfarë është premtuar.

Të dy vendet duhet të përqendrohen cila do të jetë përgjigja në fillim nëntori dhe këtë e paralajmëroi edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili gjatë një konference shtypi me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, paralajmëroi të dyja vendet.

“Ju kishim besuar për çështjen e vizave, por çështja është pezulluar nga ana e Francës, sepse ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë. Franca e respekton fjalën e dhënë dhe fjala sot nuk është e mbajtur”.

Me këtë fjali si rrëshqitas, ai, dha lajmin e vetos së mundshme franceze, në pezullimin e vizave për Kosovën, gjatë konferencës së shtypit me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Me pak vëmendje për ata që kanë ndjekur deklaratat e bëra nga përfaqësuesit e Unionit, kjo edhe pritej. Por arsyeja që Macron dha, ishte befasuese dhe e fortë, tejet e fortë…sidomos për ne shqiptarët.

Fjala e dhënë, besa e shqiptarit, ai kod etik me të cilin janë rritur breza të tërë, ai kod tek i cili jeta shoqërore e shqiptarëve u bazua, në ato vite kur noteri dhe avokati ende nuk njiheshin.

Besa, fjala e dhënë, që tek gojëdhënat, tek përrallat e rrëfimet e gjyshërve, tek legjenda e Rozafës dhe Doruntinës e Kostandinit, që ngrihet edhe nga varri për të mbajtur fjalën e dhënë.

Në botën e lashtë, shtrëngimi i duarve, simboli i fjalës së dhënë, shfaqet në vazo, gurë varresh dhe pllaka guri. Gjurmët e saj i gjen te Iliada dhe Odisea.

Besa, miti, tradita dhe karakteristika e shumë popujve dhe kulturave ndër shekuj. Mbajtja e fjalës, parimi themelor që ka qeverisur të gjitha shoqëritë me shekuj. Dikur, ende pa lindur të ashtuquajturat “qytetërime”, fjala e dhënë ishte e shenjtë, pasi ishte një angazhim që bëhej me ndërgjegje dhe ata që nuk e mbanin sanksionoheshin me faj nga e gjithë bashkësia.

Gjatë gjithë mesjetës tmerri i luftës u zbut nga rregullat e nderit kavaleresk dhe, në mungesë të një sistemi ligjor dhe të një aparati shtetëror, ekonomia funksiononte vetëm mbi bazën e besimit dhe fjalës së dhënë.

Por edhe sot, në prani të një shteti dhe aparati gjyqësor të konsoliduar, shoqëria nuk mund të funksiononte nëse individët nuk do të kishin përvetësuar thellë parimet morale. Ligji mund të godasë të pandershmit, por nuk mund të mësojë besnikërinë, sinqeritetin, respektimin e fjalës, mirëbesimin.

Fjala e dhënë është e rëndësishme jo vetëm në marrëdhëniet shoqërore, por edhe në politikë. Besimi u jepet njerëzve që mbajnë fjalën e tyre. Të tjerët konsiderohen jo të besueshëm. Atyre që i kthehen fjalës së tyre shpesh nuk u jepet një shans tjetër.

Ndoshta pikërisht këtë kishte në mendje Macron sot kur foli për prerje në besë, për mosmbajtjen e një fjale të dhënë, të cilën Franca e respekton.

Premtimet e thyera mund të përjetohen si një tradhti e vërtetë.

Ndoshta kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i zhytur në politikën e tij populiste e ka humbur disi toruan në lidhje me këtë kod antik, ndoshta ka studiuar më shumë se duhet Macchiavelli-n kur shkruante për Princin e tij “Të gjithë e dinë se sa e vlefshme është për një princ të jetë besnik dhe të jetojë me ndershmëri, jo me mashtrim.

Megjithatë, përvoja e kohëve tona na mëson se princat, të cilët kanë marrë pak parasysh fjalën e tyre dhe kanë mashtruar mendjet e njerëzve, kanë qenë gjithashtu në gjendje të kryejnë bëma të mëdha dhe në fund kanë arritur të mbizotërojnë mbi ata që janë bazuar në besnikëri”.

Dhe ndoshta Macroni iu përgjigj me po atë monedhë për të cilën Macchiavelli foli “meqenëse burrat janë të këqij dhe nuk do ta mbanin fjalën ndaj jush, as ju nuk duhet ta mbani atë ndaj tyre”.

Në një ditë shiu në Tiranë, presidenti francez në vizitën e tij të parë në Shqipëri iu përgjigj pabesisë që nuk priste. Por për Kurtin kësaj radhe ndoshta më shumë se Macchiavelli do të kishte qenë e vyer  një këshillë e vjetër e Napoleonit, e denjë për besëthyerit “mënyra më e mirë për të mbajtur fjalën tuaj është të mos e jepni kurrë”. Dhe kështu kosovarët nuk do të pësonin zhgënjimin e tyre të radhës.

“Et voila!”. Kështu edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, në vend që të sillet si diplomate, siç i takon detyrës së saj në fakt, përhap në platformën sociale X meditime personale që ironizojnë presidentin francez, një prej figurave kryesore politike në kontinent. (Jo e papritur prej saj).

Por për Kurtin kësaj radhe ndoshta më shumë se Macchiavelli do të kishte qenë e vyer  një këshillë e vjetër e Napoleonit, e denjë për besëthyerit “mënyra më e mirë për të mbajtur fjalën tuaj është të mos e jepni kurrë”. Dhe kështu kosovarët nuk do të pësonin zhgënjimin e tyre të radhës. /AlbanianPost/

Të ngjashme