Lajme
2023 jo si anëtarësimi juridik i Ballkanit në BE, por si vizioni faktik integrues
Demokracia
10:35 | 29 Gusht 2023

Share:

Forumi Strategjik në Bled nuk mund të kishte lajm më pozitiv për rajonin e Ballkanit Perëndimor, se sa ai i vizionit të shpalosur nga Presidenti i Këshilli të Evropës, Charles Michel, i cili theksoi se Bashkimi Evropian do të jetë gati të pranojë anëtarë të rinj deri në vitin 2030.

Nga shumë, kjo u pa si një shtysë për hapjen e dyerve të bashkësisë së madhe evropiane ndaj gjithë rajonit. Nga të tjerë, si një fjalë tjetër shprese, por pa veprime konkrete.

Megjithatë, si duhet kuptuar drejtë deklarata e Michel përballë gjithë kontinentit të vjetër?

Është e domosdoshme së pari të trajtohet përkufizimi i saktë që ai përshkroi.

“Ndërsa përgatisim agjendën e ardhshme strategjike të BE-së, ne duhet t’i vendosim vetes një objektiv të qartë – ne duhet të jemi gati, nga të dyja anët, deri në vitin 2030 për t’u zgjeruar”.

Praktikisht, 2030-a nuk duhet si një pikësynim i anëtarësimit de jure të rajonit në BE, por si një pikënisje për të filluar zgjerimin.

Shembull për këtë u more dhe Shqipëria, e cila si teknikisht, ashtu edhe praktikisht, i ka të gjitha mundësitë që të jetë i pari vend i bllokut që të anëtarësohet.

Këtë gjë në fakt Shqipëria mund ta arrijë edhe brenda vitit 2030, duke i hapur rrugë më pas anëtarësimit të gjithë rajonit.

Pikë së pari, sepse Shqipëria është vendi me më pak probleme në Ballkan. Një i tillë i ditëve të fundit, si ai i çështjes së Fredi Belerit, për të cilin Greqia nxiti gjuhë të ashpër (edhe bllokuese të procesit shqiptar të anëtarësimit), është sheshuar tepër ditët e fundit dhe faktori ndërkombëtar ka rol në këtë, duke dëshmuar se janë të gatshëm t’i besojnë Shqipërisë dhe shtetit të së drejtës me Reformën në Drejtësi, që vetë ndërkombëtarët e kanë trumpetuar aq shumë.

Me vendet fqinje, Shqipëria thebësisht nuk ka asnjë problem pengues. Përkundrazi, është shteti më i balancuar dhe ndërmjetësues në rajon.

Po ashtu, një tjetër aspekt me rëndësi, i cili duhet marrë në konsideratë, është fakti se Shqipëria ka mbi 10 vjet që punon rreth përafrimit ligjor me vendet e BE-së, në formulën e njohur aquis.

Ndaj, juridikisht, duhet të jetë e thjeshtë në shumicën e fushave që barrierat buroktarike të tejkalohen – duhet të tregohet thjesht niveli praktik i tyre.

Thënë kjo, me gjithë dëshirën e madhe se 2030 mundet vërtetë të jetë viti i shqiptarëve, optimizmi duhet përmbajtur.

Siç e theksoi edhe vetë kryeministri, Edi Rama, mundet të jetë siç e tha Michel, me portën e hapur në 2030. Por mundet edhe të mos jetë.

Është këtu, ku duhet kuptuar realisht rëndësia e deklaratës së shefit të KiE-së.

Anëtarësimi në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor, është kuptueshmërisht i pavlerë kur individual. Blloku, është çfarë ka rëndësi në të vërtetë, me të gjashtë qendrat pjesë e komunitetit të madh.

Ndaj, siç e ka thënë më parë edhe Michel, e më tej siç e ka përforcuar tej mase Rama në fjalën që mbajti në Bled, Ballkani de facto në BE, është objektivi real i 2030-ës.

Po kjo si kuptohet?

E shpjegoi përsosmërish sërish vetë Rama.

Ngushtim i hendekut të PBB-ve të vendeve të Ballkanit me ato të BE-së, në mënyrë sa më të shpejtë. Kjo, përmes mbështetjes së vazhdueshme si financiare, ashtu edhe në termat e hapjes së tregut të përbashkët dhe hapësirës për ndërmarrjet ballkanike drejt Evropës.

Thënë më thjeshtë, aplikimi i lirive themelore evropiane (përpos leje qëndrimeve të përhershme për punë), mbi të gjitha i lirive për bizneset, në mënyrë që hap pas hapi në gjashtë vitet e mbetura të dekadës, tregu ballkanas të integrohet me atë evropian.

Në këtë frymë, nuk ka nevojë patjetër që të vendosen harqe kohore për anëtarësime të nxituara kur vendet ende nuk janë gati të anëtarësohen, shkruan AP.

Duhet pranuar në këtë rrafsh se shumë çështje të nxehta në Ballkanin Perëndimor duhen zgjidhur përpara se hapa të mëtejshëm të vijojnë.

A ka shpresë pra që të materializohet synimi që Michel parashtroi në Bled? Plotësisht!

A mund të ndodhë kjo për të gjashtë vendet njëkohësisht? Thuajse e pamundur!

A duhet të dorëzohet thjesht me këtë përpjekje BE-ja? Jo!

Dhe çelësi i vërtetë i fitores, është angazhimi serioz në Procesin e Berlinit, i cili “rastësisht”, për të parën herë në histori, zhvillohet më 16 tetor në Tiranë dhe ka rastin të tregojë se sa vërtetë BE-ja e dëshiron Ballkanin pjesë të saj, dhe sa Ballkani të jetë në Evropë.

Të ngjashme