Gjykata Themelore në Prishtinë përpara disa ditësh ia aprovoi Albert Prenkajt, ish-Drejtorit të Departamentit për Amerikë, si të bazuar ankesën lidhur me shuarjen e Drejtorisë së Përgjithshme. Përkundër kësaj, të mërkurën MPJD lëshoi vendim për pezullimin e tij. Në aktgjykim, problematike shihej neglizhenca që i bëhej nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Ligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, duke e bërë sistematizimin e vendeve të punës pa e harmonizuar rregulloren me këtë ligj.
Rregullorja për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e vendeve të punës e MPJD-së, e cila sipas aktgjykimit në rastin e Prenkajt po shërben që të merren vendime të kundërligjshme, u miratua edhe nga Zyra e Kryeministrit, raporton Demokracia.com.
Në aktgjykimin në fjalë precizohet se “me rastin e nxjerrjes së këtij vendimi nuk e ka marrë për bazë Ligjin nr.03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës si Ligj i veçantë, Ligj special që rregullon shërbimin e jashtëm diplomatik të Kosovës”.
Siç vijon aktvendimi, “asnjë akt nënligjor siç është Rregullore 01/2022 [për sistematizim të brendshëm] nuk ndryshon një Ligj apo të jetë në kundërshtim me Ligjin, por duhet të jetë në pajtim të plotë me Ligjin”.
Sipas kësaj, i gjithë sistematizimi nga Gërvalla i nëpunësve civilë në MPJD bazuar në këtë rregullore rezulton të jetë bërë në mënyrë të kundërligjshme.
Drejtoria e Përgjithshme kishte për detyrë të bashkërendonte komunikimin e përhershëm të ministrisë me misionet e shërbimit të jashtëm, hartimin dhe realizimin e synimeve në veprimtarinë e shërbimit me jashtë, si dhe udhëheqjen e zyrave përkatëse brenda institucionit.
Sindikalistët e MPJD-së përpara një viti, para vendimit të gjykatës, kërkonin nga Qeveria Kurti shfuqizimin e kësaj rregulloreje, por që hasi në vesh të shurdhër.
MPJD pezulloi të mërkurën nga puna Prenkajn deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga ana e Komisionit Disiplinor.
Deri atëherë, Prenkajt do t’i ndalohet hyrja në objektin e MPJD-së dhe çdo veprim tjetër që mund “të cenojë/dëmtojë provat”, sipas lëndës së iniciuar ndaj tij.
Po ashtu, sipas vendimit, është anuluar vendimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës dhe sipas vendimit çështja duhet të kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje.
“Udhëheqësi i drejtpërdrejtë/Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve te Jashtme dhe Diasporës me datën 28.03.2023, ka iniciuar procedurën disiplinore ndaj z. Albert Prenkaj, Drejtor i Departamentit për Amerika. Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, vlerëson se nëpunësi civil z. Prenkaj, ndaj të cilit zhvillohet procedura disiplinore e pengon hetimin disiplinor dhe cenon ushtrimin e përshtatshëm të detyrës së tij, dhe ka arsye të besohet se vazhdimi i ushtrimit të detyrës nga nëpunësi civil z. Prenkaj, ndaj të cilit ka filluar procedura disiplinore pengon hetimin disiplinor dhe verifikimin e fakteve si dhe mund të cenojë ushtrimin e përshtatshëm te detyrës së komisionit, andaj vendosi pezullimin e nëpunësit civil Z. Prenkaj, deri ne marrjen e vendimit përfundimtar. Komisioni, vendosi si në dispozitë të këtij vendimi”, u tha në vendim. /Demokracia.com/
DOKUMENTE| Kurti e Gërvalla po e shuajnë kundërligjshëm Drejtorinë e Përgjithshme në MPJD