Lajme
18 argumente pse Asociacioni i 2013-ës nuk ishte Zajednica e tashme e Albin Kurtit
Demokracia
12:48 | 19 Prill 2024

Share:

Qeveria e Kosovës asokohe e quante Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, deri sa opozita në krye me Albin Kurtin e quante Zajdenicë. Këtu nuk përfundonin kundërthëniet ndërmjet pozitës e opozitës së atëhershme, por këtu ishte pikënisja e kundërshtimit të opozitës së Kurtit, të cilit tani edhe retorika e përdorur po i kthehet ‘bumerang’, shkruan Demokracia.com.

I gjithë kundërshtimi i Kurtit ishte reduktuar në disa fjali dhe rrallëherë kishte ballafaqim të argumenteve të mirëfillta.

Bashkësia ndërkombëtare e shihte gjithnjë Asociacionin si mjetin e vetëm për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, deri sa opozita e atëhershme e trumbetonte këtë si mjetin e vetëm për futjen e Serbisë brenda Kosovës.

Demokracia.com sjell 18 argumente pse Asociacioni i 2013, që Glauk Konjuca thotë “Veç me mujtë me rujtë marrëveshjen e Hashim Thaçit”, nuk është Zajednica e tashme e Albin Kurtit:

1. Marrëveshja për Asociacionin decidivisht thuhej se duhet të jetë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e vendit. Ky ishte parakushti i funksionalizimit të tij.

2. Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Sipas asaj marrëveshjeje, Asociacioni nuk mund të marrë vendime për komunat dhe as në emër të komunave anëtare të saj.

3. Asociacioni nuk do të ketë shërbyes civil, siç janë punonjësit e institucioneve të Kosovës në nivel qendror dhe lokal.

4. Asociacioni nuk mund të ofrojë shërbime për qytetarët. Pra, nuk ka kompetenca të ndonjë komune apo të një Bashkie. Shërbime mund të ofrojnë vetëm komunat anëtare të saj.

5. Serbia kishte pranuar që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë të themelohej në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi.

6. Asociacioni nuk do të jetë organizatë buxhetore e Republikës së Kosovës. Do të thotë, Asociacioni nuk merr buxhet nga shteti i Kosovës. Ajo mund të përfitojë nga financimi i brendshëm dhe i jashtëm, njëjtë siç mund të përfitojë asociacioni ekzistues i komunave të Kosovës.

7. Asociacioni do t’i nënshtrohet ligjeve të auditimit dhe prokurimit të Republikës së Kosovës dhe çdo financim dhe shpenzim i saj do të jetë në kuadër të dispozitave të legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës.

8. Asociacioni nuk ka karakter njëetnik. Në Komunën e Mitrovicës, Graqanicës etj, përveç serbëve jeton edhe komuniteti shqiptar dhe komunitete të tjera. Në bazë të të dhënave zyrtare jetojnë dhe përfaqësohen edhe rreth 15 % nga pjesëtarë të komunitetit shumicë, pra shqiptarë dhe komunitete tjera.

9. Karakteri shumetnik i këtyre komunave do të reflektojë edhe në strukturat e Asociacionit. Kështu edhe simbolet e tij duhet të jenë në përputhje me legjislacionin e Kosovës dhe të reflektojnë karakterin shumetnik të tij. Me këtë përjashtohej mundësia që Asociacioni të vendoste flamuj të shteteve të tjera fqinje.

10. Autoriteti publik mbetej në Qeverinë e Republikës së Kosovës apo të komunave varësisht nga lloji i kompetencave publike.

11. Asnjë vendim i Asociacionit nuk mund të ishte obligues për komunat anëtare të tij. Pra, Asociacioni nuk mund t’i obligonte komunat që t’i implementojnë vendimet që do t’i merrte.

12. Anëtarësimi i komunave në Asociacion bëhet vetëm në bazë vullnetare. Kjo ishte në përputhshmëri me Kartën Evropiane për Qeverisje Lokale.

13. Asociacioni nuk do të ketë asnjë rol në menaxhimin e pasurisë dhe resurseve natyrore të Kosovës.

14. Asociacioni përfaqësohet nga organet e saj brenda dhe jashtë Kosovës, njëjtë sikurse edhe asociacioni ekzistues, në pajtim me ligjet e Kosovës.

15. Sipas marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, dekreti i Qeverisë me të cilin themelohej Asociacioni duhej të rishikohej nga Gjykata Kushtetuese (procesi ekzistues). Çdo ndryshim i statutit të Asociacionit duhej të miratohej me dekret nga Qeveria dhe të rishikohej sërish nga Gjykata Kushtetuese.

16. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk kishte më shumë kompetenca sesa Asociacioni i Komunave të Kosovës. Edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës është subjekt juridik, i ka organet e veta, që përfshin Kuvendin, Këshillin dhe Bordin, ka pronë të vetën – objekt, gjë që nuk përmendet në Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe dhe ka simbolet e veta. Përveç kësaj, statuti i Asociacionit të Komunave të Kosovës miratohet, ndryshohet dhe plotësohet nga vetë Kuvendi i këtij Asociacioni, pa asnjë përfshirje të Qeverisë.

17. Për dallim prej kësaj, statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mund të ndryshohej vetëm nëse këtë e dekretonte Qeveria dhe Gjykata Kushtetuese do të vlerësonte se statuti është në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Me këtë, mekanizmat e mbikëqyrjes juridike nga Qeveria ishin shumë më të mëdha për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe sesa që janë për Asociacionin e Komunave të Kosovës.

18. Pa marrë parasysh veprimet ligjore që Qeveria mund të ndërmerrte kundër Asociacionit, Qeveria gjithmonë e kishte mundësinë e marrjes së veprimeve ligjore kundër komunave që do të dëshironin të bëheshin pjesë e Asociacionit, nëse ato tejkalojnë kompetencat e tyre të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj./Demokracia.com/

Të ngjashme