Lajme
15 vjet, 117 njohje| Këto janë shtetet e para që njohën pavarësinë e Kosovës
Demokracia
20:03 | 17 Shkurt 2023

Share:

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, dhe vëmendja u kthye te shtetet e tjera që botës për të parë se kush do ta njihte shtetin më të ri në Evropë. Në po këtë ditë, Kosta Rika njohu pavarësinë duke u bërë kështu shteti i parë që e njeh shtetësinë e Kosovës.

Dhe, pa kaluar ende 24 orë Kosova njihet edhe nga shteti më i fuqishëm në botë SHBA.

Më 18 shkurt 2008, shtetësinë e Kosovës e njohin po ashtu edhe Franca, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe dhe Afganistani, shkruan Demokracia.com.

Ndërsa më 19 shkurt Kosova pranon edhe dy njohje të reja. Australia dhe Senegali njohën shtetin më të ri në Evropë dy ditë pas shpalljes së pavarësisë.

Kështu vetëm gjatë viti të parë Kosova njihet nga 55 shtete nga e mbarë bota.

Ndërsa deri më sot sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kosova është njohur nga 117 shtet.

Njohja e fundit erdhi nga Izraeli. Izraeli e njohu Kosovën në shkurt 2021, si rezultat i marrëveshjes së Uashingtonit e cila ishte nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërsa tash e dy vite Kosova nuk ka pranuar asnjë njohje të re dhe për këtë hedhen kritika në adresë të Qeverisë dhe diplomacisë kosovare.

Njohjen e pavarësisë së Kosovës e karakterizojnë tri periudha. Periudha e parë është ajo e viti 2008 ku njohjet erdhën pothuajse nga të gjitha shtetet aleate. Në periudhën e dytë më shumë njohje erdhën nga vendet e Azisë dhe Afrikës. Ndërsa në periudhën e tretë shtetësia e Kosovës njihet nga një numër më i vogël i shteteve.

Pavarësinë e Kosovës e kanë njohur nga 117 shtete nga 193 anëtarët e OKB-së, prej 3 nga 5 shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kosova njihet edhe nga 22 prej 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, nga 26 prej 30 shtete anëtare të NATO-s dhe nga 36 prej 56 shtete të OSBE-s. Shtetësinë e Kosovës e njohin edhe 34 nga 47 vende anëtare të Këshillit të Evropës dhe nga të gjitha vendet të G7./Demokracia.com/

Të ngjashme