Lajme
15 punëtorë vdiqën në vendin e punës sivjet , qindra tjerë u lënduan
Demokracia
13:24 | 27 Korrik 2023

Share:

Sivjet 15 punëtorë kanë vdekur në vendin e punës. Kryesisht kanë qenë punëtorë të ndërtimtarisë. E janë qindra punëtorë të tjerë, që për çdo ditë marrin lëndime në punë. Edhe policia ka hapur qindra raste për mos vendosjen e masave ose pajisjeve mbrojtëse në vendin e punës. KMDLNj kërkon shtim të numrit të inspektorëve.

Vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti nga lëndimet e marra në vendin e punës kanë vdekur 15 persona.

Kryetrari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka thënë për Express, se përveç rasteve që përfundojnë me fatalitet, ka edhe qindra raste të tjera të lëndimeve.

Madje Azemi, tha se ka raste, kur punëtorët e kompanive private u bëjnë presion punëtorëve të lënduar që të mos i lajmërojnë rastet në polici.

“Asnjëherë nuk mund të ketë një shifër e saktë sepse ka lëndime të përgjithshme, ndoshta me qindra lëndime brenda ditës. Kryesisht lëndimet, pronarët e kompanive u bëjnë presion punëtorëve që mos të deklarohen se janë lënduar në vendet e tyre të punës por në një vend diku tjetër. Sa i përket rasteve të vdekjeve, sivjet është numri më i madh prej se ne i kemi statistikat, po flasim për periudhën gjashtë mujore. Nëse mund të themi tani edhe për muajin korrik, kemi 15 raste të vdekjeve në vendet e tyre të punës. Realisht në vitin e kaluar, 2022 dhe 2021 nuk ka qenë ndërtimtaria prioritet por këtë vit kryesisht rreth 70%  e këtyre punëtorëve kanë vdekur në ndërtimtari”, ka thënë ai për Express.

Express që dy ditë ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të Inspektoratit të Tregut të Punës lidhur me këtë çështje, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërtimtaria sektori më i pasigurt për punëtor

Nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut kanë thënë për Gazetën Express, se punëtorët më të rrezikuar në vendin e punës janë ata të ndërtimtarisë.

“Sipas informatave dhe sipas raporteve, më të rrezikuar janë punëtorët të cilët janë të angazhuar në ndërtimtari e të cilët përballen me shumë probleme. Fatkeqësisht, ndërtimtaria ka qenë dhe vazhdon të jetë prijëse për rastet e lëndimeve dhe vdekjeve në vendin e punës. Këtu, nuk përjashtohen dhe sektorë të tjerë por kryeson ndërtimtaria”, thanë nga kjo organizatë.

Kjo pasi sipas tyre, ambienti i punës nuk përkon me rregullat e angazhimit të një punëtori në punë.

“Ambienti i punës në përgjithësi nuk përkon me nevojat dhe rregullat e angazhimit të një punëtori në punë. Këtu i referohemi të gjitha kushteve duke filluar nga ato me bazike si mungesa e kushteve të sigurisë (në sektorët e ndërtimtarisë dhe të ngjashme), mungesë e përmbushjes dhe përmbajtjes së kontratës së punës dhe detyrimeve që dalin prej saj, dhe lehtësia e largimit nga puna pa asnjë paralajmërim dhe pamundësia për punëtorët që të kenë ku të ankohen dhe të marrin  përgjigje të shpejtë si dhe të kompensohen për dëmet e pësuara”, deklarojnë tutje për Express.

Kërkohet shtim i numrit të inspektorëve

Për të evituar rastet e lëndimit dhe vdekjeve në vendin e punës është duke u kërkuar shtimi i inspektorëve në terren.

Nga KMDLNj thanë për Express se duhet që të ketë edhe gjoba më të larta.

“Institucionet duhet të ndërgjegjësohen të marrin masa konkrete dhe të mos merremi me pasoja por me parandalim. Fillimisht duhet të rritet numri i inspektoreve të punës dhe numri i inspektimeve, duhet të ketë gjoba më të larta në mënyrë që të mund të krijojë efektin e parandalimit për bizneset të cilat mund të përballen me të njëjtën situatë, duhet të ketë një databazë për të gjitha rastet e lëndimeve dhe natyrës se lëndimeve dhe të përcillen me prioritet ato sektorë që janë me të shumta numri i te lënduarve në vendin e punës, të krijohet një fond i veçantë që të kompensohen të lënduarit apo dhe familjet e atyre që humbin jetën në vendin e punës dhe ne kemi propozuar që kjo të bëhet nga fondi i gjobave apo dënimeve që u shqiptohen bizneseve, të bëhet një kampanjë sensibilizuese për te drejtat e punëtoreve dhe të promovohen e të ketë lehtësira administrative për bizneset që ofrojnë kushte të mira për punëtorët, dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të trajtojë me prioritet rastet e natyrës së lëndimeve në vendin e punës”, thuhet më tutje në përgjigjen e tyre.

Në polici hapen qindra raste për rrezikim të sigurisë në vendin e punës

Nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar për Express se lidhur me veprën penale “Asgjësim, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, në tre muajt e parë të këtij viti janë hapur 39 raste.

Ndërkaq për vitin 2022, policia për këtë vepër penale ka hapur 177 raste.

Të pyetur se sa është numri i personave që kanë vdekur si rezultat i kushteve jo të mira të sigurisë në vendin e punës, nga Policia e Kosovës nuk dhanë përgjigje.

Çfarë thotë Kodi Penal për sigurinë në vendin e punës?

Mos ofrimi i sigurisë në vendin e punës sanksionohet edhe me Ligj.

Sipas nenit 367 të Kodit Penal të Kosovës, kushdo që asgjëson, dëmton ose heq pajisjen mbrojtëse nga cilido vend i punës dhe me këtë rrezikon jetën e njerëzve ose shkakton dëm pasuror dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë  vjet.

Tutje, kushdo që është përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës dhe i cili nuk i instalon pajisjet mbrojtëse, nuk i mirëmban ato në gjendje të rregullt për punë, nuk siguron përdorimin e tyre kur është e nevojshme apo nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës dhe me këtë rrezikon jetën e njerëzve ose shkakton dëm të konsiderueshëm pasuror, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet./Gazeta Express

Të ngjashme