Lajme
1 muaj gjykim, 11 seanca, pothuajse krejt të mbyllura: Ku është transparenca në Hagë?
Demokracia
17:05 | 04 Shkurt 2024

Share:

Që kur është kthyer Gjykata Speciale nga pushimi i festave të dimrit, gjykimi i krerëve të UÇK-së në Hagë ka vazhduar. Megjithatë, problematika mbetet e njëjtë: seancat e mbyllura, të cilat nuk i ofrojnë publikut në Kosovë një pamje të qartë për atë se çka po ndodh.

Që nga fillimi i muajit janar, në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, janë zhvilluar 11 ditë me seanca. Pothuajse secila prej tyre ka qenë e mbyllur, raporton Nacionale.

Kanë dëshmuar rreth 5 dëshmitarë, dhe e hapur ka qenë vetëm dëshmia e një serbit për pak minuta, dëshmi e mbetur në gjysmë në muajin dhjetor.

Të gjitha seancat e tjera kanë qenë të mbyllura, pra publiku kosovar as nuk e ka parë, e as nuk ka dëgjuar asgjë. Dëshmitarët të gjithë kanë qenë nën masa mbrojtëse, me pamje të mbuluar, e zë të deformuar.

Kjo në Kosovë vazhdimisht ka nxitur dilema për besueshmërinë e qytetarëve në vendimin përfundimtar, cilido që të jetë ai.

Dilemat janë shtuar edhe më shumë kur së fundmi, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, tregoi se një dëshmitar ka manipuluar dëshminë e tij në shërbim të Inteligjencës së Serbisë. Edhe kjo seancë më pas, u mbyll për publikun.

“Sa i takon dëshmitarit të radhës, do të doja të jepja një parashtrim në seancë të hapur që dëshmia e këtij personi duhet mbajtur në seancë të hapur. Të ndjekim të njëjtën praktikë siç e kemi ndjekur në të shkuarën; të përdorim kode për emrat dhe vendet. Ju keni dhënë vendim sot paradite në seancë të hapur që ky është një dëshmitar që ka dhënë deklarata të rreme për llogari të Shërbimit Informativ Serb dhe është shumë e rëndësishme dhe më e rëndësishme se për çdo dëshmitar tjetër që gjyqi të jetë i hapur për publikun dhe të mos jetë seancë e mbyllur për një dëshmitar të këtij lloji që ka pranuar vetë që ka gënjyer dhe është përpjekur që të manipulojë procesin e gjyqësor për llogari të shërbimit sekret serb”, tha Emmerson.

Sipas Emmersonit, ky dëshmitar ka falsifikuar dëshminë me kërkesën e autoriteteve serbe.

“Megjithatë, është fakt që gjykatësi i procedurës paraprake është çorientuar. Ndërkohë që ju i nderuar gjykatës keni punuar mbi vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake dhe keni vijuar më tej me masat mbrojtëse që janë miratuar në këtë rast. Ajo se çfarë do të thotë është që është një proces në të cilin Prokuroria duhet që të kalojë këtë proces edhe njëherë dhe të shpjegojë arsyen se pse janë aprovuar masa mbrojtëse, të shpjegojë se pse publiku nuk duhet që të dëgjojë dhe të shoh këtë dëshmitar, ndërkohë që është e dukshme që ky dëshmitar ka falsifikuar dëshminë me kërkesën e autoriteteve serbe”, tha Emmerson.

Mbyllja e seancave dhe mungesa e transparencës në proceset gjyqësore në Hagë, është kritikuar në vazhdimësi. Gjykata Speciale këtë e ka arsyetuar me mbrojtjen e dëshmitarëve, kurse ekspertët e juristët kanë vlerësuar se me mbylljen e seancave, mund të ketë mungesë besimi të qytetarëve në vendimin përfundimtar.

Krerët e UÇK-së janë arrestuar e po mbahen në paraburgim që nga muaji nëntor i vitit 2020.

Të ngjashme