Lajme
​Komisionet parlamentare Shqipëri – Kosovë arrijnë marrëveshje për aktivitete të përbashkëta në fushën e drejtësisë
Demokracia
12:54 | 11 Mars 2022

Share:

Kryetari i Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës, Adnan Rrustemi dhe kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore të Shqipërisë, Klotilda Bushka kanë nënshkruar sot në Prishtinë një marrëveshje bashkëpunimi për konsolidimin e sistemit të drejtësisë në të dyja shtetet.

Kryetari i Komisionit Adnan Rrustemi, theksoi se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, do të konkretizohen nismat e përbashkëta për avancimin e sistemit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit.

“Sot nënshkruam një memorandum bashkëpunimi që përcakton fushëveprimtarinë e bashkëpunimit intensiv mes dy komisioneve, duke u përcaktuar në mënyrë konkrete aktivitetet e përbashkëta, nismat e përbashkëta në drejtim të konsolidimit të sistemit tonë të drejtësisë dhe sistemit tonë ligjor”, theksoi Rrustemi.

Ndërsa, kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore të Shqipërisë, Klotilda Bushka u shpreh se si komisione parlamentare do të bëjnë presion tek dy qeveritë shqiptare për zbatimin e marrëveshjeve për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave, si dhe për njohjen e pensioneve.

“Besoj se ne do të jemi dy komisionet përgjegjëse që do të shtrojmë presion tek qeveritë tona respektive për t’i zbatuar sa më shpejt ato (marrëveshje) që kemi rënë dakord qoftë për lëvizjen e lirë të qytetarëve në të dy anët e kufirit, për lëvizjen e mallrave dhe për njohjen e drejtave për pensionet, si dhe për çdo gjë tjetër që është në interes të qytetarëve tanë në të dy shtetet”, theksoi ai.

Anëtarët e këtij komisioni nga Shqipëria i ka pritur në takim edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Të ngjashme