Lajme
Skaneri mbi 1 milion euro arrin në QKUK falë ish-presidentes Jahjaga: Osmani poston foto, por s’e falënderon
Demokracia
22:10 | 26 Prill 2024

Share:

Një skaner që ka vlerën mbi një milion euro ka arritur sot në Klinikën e Mjekësisë Nukleare të QKUK-së, i cili erdhi si donacion pas bashkëpunimit të Fondacionit Jahjaga të presidentes Atifete Jahjaga dhe Fondacionit Filantropik Alwaleed në Riyadh të Arabisë Saudite. Në ceremoni, e pranishme ishte natyrisht vet ish-presidentja, por edhe ajo aktuale, Vjosa Osmani. Shumë bujë i dha kjo e fundit në rrjete sociale këtij rasti, megjithatë, s’e falënderoi atë që ishte njëmend meritore.

Siç njoftoi më herët Jahjaga, falë bashkëpunimit të këtyre dy fondacioneve, sot ka arritur skaneri për të cilin, qytetarët kanë udhëtuar jashtë shtetit për të marrë diagnostifikimet e nevojshme.

“Jam e bindur se ky është vetëm fillimi i shumë arritjeve të tjera që do të realizojmë së bashku! Së bashku për një të ardhme më të shëndetshme dhe më të lumtur për të gjithë qytetarët tanë.” – shkroi mes tjerash ish-presidentja.

Foto duke prerë shiritin, postoi edhe presidentja aktuale, Vjosa Osmani. Pranë saj, shihej edhe Jahjaga, megjithatë, në asnjë prej rreshtave të postimit të saj, nuk e falënderon ish-presidenten.

Kjo, ka shkaktuar reagime të shumta, jo veç nga opinionistë e politikanë, por edhe në disa komente poshtë postimit të saj:

“Falemnderit presidentes Atifete Jahjaga”.

“Zonja Presidente, një falenderim i madh shkon për Presidenten Jahjaga për punën e saj të madhe që kemi diçka të tillë sot”.

“Faleminderojme Ish Presidenten Atifete Jahjaga dhe donatorin per kete donacion. Kurse ju vazhdoni ti perdorni meritat e te tjereve per fushata elektorale”.

Ndërkohë, ndër të parët që reagoi me një status mbi këtë, ishte analisti Imer Mushkolaj. Ai vuri në pah se në postimin e saj, Osmani s’e përmend fare Jahjagën.

“Ta kemi të qartë: skanerin e sofistikuar, i cili sot iu dhurua QKUK’së, e ka siguruar presidentja Atifete Jahjaga nëpërmjet fondacionit të saj. Shumë po më intereson a e ka falënderu presidentja Vjosa Osmani Jahjagën, me emër dhe mbiemër dhe duke e shiku n’sy, për këtë donacion? Në postimin në Facebook nuk e kish përmend hiç.” – ka shkruar ai.

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka shkruar po ashtu disa fjalë për ish-presidenten Jahjaga:

“Përkundër goditjeve të ulta, Presidentja Jahjaga asnjëherë nuk është bërë pjesë e betejave të imta. Përkundrazi, ka qenë gjithmonë përbashkuese. Falemnderit Presidente Jahjaga që vazhdon të jesh shembull i dashurisë pa kushte për Kosovën”.

Të ngjashme