Lajme
Zyrtarja e OKB-së: Duket se Izraeli po i shkel urdhrat e GjND-së për mbrojtjen e palestinezëve
Demokracia
08:39 | 10 Shkurt 2024

Share:

Izraeli duket se është duke i shkelur urdhrat e lëshuar para gjysmë muaji nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me të cilët këtij shteti i kërkohet që t’i ndërmarrë të gjithë hapat për t’i mbrojtur të drejtat e palestinezëve dhe t’i ndalojë të gjitha veprimet që mund të përbëjnë gjenocid, ka thënë raportuesja e posaçme e OKB-së për territoret e pushtuara, Francesca Albanese.

Qeverisë izraelite i është dhënë afat deri më 23 shkurt për të raportuar në GjND për masat që i ka ndërmarrë për t’i respektuar gjashtë urdhrat e lëshuar nga gjykata, përfshirë një që ndërlidhet me përfundimin e nxitjes drejt gjenocidit dhe një tjetër me të cilin kërkohen hapa të menjëhershëm për ta përmirësuar furnizimin me ndihma humanitare, raporton gazeta “The Guardian”.

Zyrtarë të lartë perëndimorë thonë se pavarësisht nga bisedimet e gjata disa orë me zyrtarë izraelitë, është një përmirësim vetëm margjinal dhe i shkallëzuar nga vendimi i 26 janarit. “E sigurt të thuhet, [situata] është e llahtarshme dhe po bëhet më keq” – tha një zyrtar.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk e ka urdhëruar Izraelin për të bërë armëpushim, siç kishte kërkuar Afrika e Jugut, por një shumicë dërrmuese e gjykatësve i kanë përkrahur urdhrat që janë lëshuar me qëllim që të kenë ndikim praktik.

Zonja Albanese thotë se GjND-ja e ka urdhëruar Izraelin që t’i ndërpresë të gjitha veprimet që mund të përbëjnë gjenocid. Pavarësisht kësaj, sipas zyrtares së OKB-së, dhuna dhe shkatërrimi i infrastrukturës civile kanë vazhduar, duke i përkeqësuar kushtet e jetesës edhe ashtu të vështira në Gaza.

“Fatalitetet nuk janë vetëm rezultat i bombardimeve dhe sulmeve me snajperë. Ato ndodhin edhe për shkak të mungesës së furnizimeve mjekësore dhe trajtimit, dhe, në mënyrë më shqetësuese, për shkak të qasjes jo të duhur në ushqim dhe ujë të pijshëm, duke e bërë të detyrueshëm konsumimin e ujit të kontaminuar ose të ndotur” – tha raportuesja e OKB-së në një intervistë me gazetën “The Guardian”.

Të paktën 1 mijë e 755 palestinezë janë vrarë në Gaza që nga dita e lëshimit të urdhrave të GjND-së.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se vendi i tij ka një zotim “të palëkundur” ndaj së drejtës ndërkombëtare dhe ndaj “zotimit të shenjtë për të vazhduar që ta mbrojmë vendin tonë dhe t’i mbrojmë njerëzit tanë”. Rastin në GjND e ka përshkruar si “përpjekje të ulët për t’ia mohuar Izraelit këtë të drejtë themelore”.

Njohësit e ligjit kanë argumentuar se shkalla e respektimit të urdhrave të GjND-së nga Izraeli është një test jo vetëm për autoritetin e gjykatës më të lartë të OKB-së, por edhe atë të shteteve të tjera që e kanë nënshkruar konventën kundër gjenocidit.

Të ngjashme