Lajme
Zyrtari i Vuçiqit akuzon Kurtin për aksionin e Policisë së Kosovës kundër hajnisë në Shtërpcë
Demokracia
14:35 | 08 Prill 2022

Share:

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq, ka provuar sërish ta ngjyrosë me motive etnike aksionin e Policisë kundër kontrabandës që po zhvillohet nëpër disa rajone të Kosovës.

Petkoviq, ka deklaruar se kryeministri Kurti ka dërguar njësitë speciale në Shtërpcë për të goditur serbët dhe bizneset e tyre.

“Pjesëtarë të policisë speciale të Kosovës sot gjatë ditës të shoqëruar nga doganierë kanë shkuar në Shtërpcë për të kërkuar mallra serbe në dyqanet e serbëve. Ata kanë bllokuar tri dyqane dhe qytetarët e kanë pas të pamundur që të blejnë gjëra dhe janë goditur nga demonstrimi i fundit i forcës nga ana e Albin Kurtit”, ka shkruar Petkoviq.

Petkoviqi tutje ka thënë se kryeministri Kurti po kërkon konfrontim me serbët në Shtërpcë.

“Për këtë, Kurti e përdor një lloj konfrontimi me plazmën dhe fiqtë si një pasqyrë për të sulmuar serbët dhe për të demonstruar pushtet, duke menduar se do të arrijë t’i shkundë serbët dhe të provokojë një lëvizje të papërgjegjshme me veprime të shpeshta. Përkundër obsesionit të Kurtit me Shtërpcën, shtërpcasit nuk bien në provokime dhe janë të vendosur të qëndrojnë e të mbijetojnë në shtëpitë e tyre dhe i vetmi humbës i veprimeve të tilla të paarsyeshme do të jetë Kurti. Shteti i Serbisë do të vazhdojë ta ndihmojë Shtërpcën si ekonomikisht ashtu edhe në çdo mënyrë dhe Kurti nuk mund ta pengojë këtë”, ka thënë Petkoviq.

Të ngjashme