Zyrtarit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Leotrim Gashit, sot iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Gashi që ishte edhe këngëtar, u arrestua në flagrancë me rreth 6 mijë euro në dorë, para këto të dyshuara si ryshfet nga dy biznese që përfituan subvencione.
Demokracia.com nga burime të veta në Drejtorinë Kundër Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës merr vesh se arrestimi i tij në flagrancë u bë falë bashkëpunimit të këtyre dy bizneseve me hetuesinë, nga të cilat Gashi kishte kërkuar ryshfet.
Atij, siç thonë burime të Demokracia.com, nga bizneset i janë dhënë para të shenjëzuara prej Policisë së Kosovës.
Në ditën e arrestimit, Demokracia.com raportoi se të martën, por edhe një ditë më pas, në objektin e Ministrisë së Kulturës janë parë duke lëvizur policë të veshur në rroba civile.
Demokracia.com ka mësuar se policia e ka konfiskuar edhe një telefon të një zyrtari tjetër të Ministrisë së Kulturës. /Demokracia.com/