Lajme
Zyrtarët për “Fake News” nëpër Ministri, profesori universitar komenton iniciativën e Qeverisë
Demokracia
23:14 | 28 Prill 2022

Share:

Qeveria e Kosovës po e krijon edhe një pozitë të re nëpër zyrat e informimit të dikastereve qeveritare. Bëhet fjalë për zyrtar për “Fake News”, me të cilët pushteti po pretendon se do t’i luftojë dezinformatat.

Demokracia.com ka siguruar një e-mail që u është nisur ministrive, ku u kërkohet që ta caktojnë nga një zyrtar të tillë.

DOKUMENT| Qeveria Kurti e krijon një pozitë të re nëpër ministri, zyrtar për “Fake News”

Dren Gërguri, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në një prononcim për Demokracia.com ka folur rreth kësaj ideje.

Gërguri ka thënë se është e rëndësishme që të qartësohet se cilat janë detyrat e këtij zyrtari dhe se a do të merret vetëm me dezinformatat që vijnë nga jashtë apo do të trajtojë ato që kanë të bëjnë me politika ditore. Në këtë të fundit sipas Gërgurit, qeveria nuk do të duhej të përfshihej.

“Ndërkohë, sa i përket iniciativës së qeverisë që brenda ministrive të caktohet një person që merret me dezinformimin, është e rëndësishme të qartësohet cilat janë detyrat e zyrtarit qeveritar, a do të ketë për obligim të merret vetëm me dezinformimin që vjen nga jashtë, apo do të trajtojë edhe dezinformatat që kanë të bëjnë me politika ditore, në çka qeveria nuk do të duhej të përfshihej.”, ka thënë Gërguri.

Ai vlerëson se Qeveria e Kosovës mund të krijojë një task-forcë e cila do të kishte fokusin te dezinformimi nga jashtë e që po e dëmton shtetin tonë.

“Në task forcë mund të ketë përfaqësim nga institucione të ndryshme, duke përfshirë MPB, MPJ, KPM, etj., derisa mund të përfshihen edhe akterë nga shoqëria civile dhe fusha akademike. Krahas kësaj, edhe qeveria jonë mund të ndërmarr hapa të shpejt për të kthyer vëmendjen te edukimi medial, si pikë kyçe në strategjinë për luftimin e dezinformimit. Iniciativat ligjore po ndiqen me diskutime rreth të drejtës për lirinë e shprehjes dhe, për të shmangur këto, në shtete të ndryshme, qeveritë po përpiqen të shtrijnë edukimin medial në shoqëri nëpërmjet arsimimit parauniversitar. Për shembull, Finlanda ka filluar t’i mësojë fëmijët se si t’i identifikojnë dezinformatat që në shkollë fillore e të mesme të ulët, nëpërmjet lëndës për edukim medial. Ato aftësi i përforcojnë pastaj edhe gjatë shkollimit në nivelin e mesëm të lartë. Tashmë edhe shtete tjera, si Kanada e Holanda po ndërmarrin veprime të ngjashme. Këtë rrugë mund ta ndjek edhe qeveria e Kosovës.”, vlerëson Gërguri.

Në këtë prononcim për Demokracia.com, Gërguri tha se Kosova ka nevojë për bashkërendim të punëve për të luftuar dezinformimin që po e sulmon shtetin, historinë dhe të tashmen e vendit dhe për këtë, qeveria duhet të mendojë për përgatitje kuadrosh.

Ai shtoi se po ashtu duhet të vlerësohet roli që mund të luajnë kontrolluesit e fakteve (fact-checkers) në gjithë këtë./Demokracia.com/

Të ngjashme