Lajme
Zyrtarët e SPAK përmbyllin vizitën studimore në SHBA, pas takimeve të nivelit të lartë me organet amerikane
Demokracia
15:50 | 04 Nëntor 2023

Share:

Është përmbyllur zyrtarisht vizita e zyrtarëve të lartë të Prokurorisë së Posaçme SPAK në SHBA, ku një sërë takimesh shumë të rëndësishme janë zhvilluar, në kuadër të vijimit të punës së organit të lartë hetimor në Shqipëri, pa u cenuar nga faktori politik.

Sipas një njoftimi nga Ambasada Amerikane në Tiranë, zyrtarët shqiptarë përmbyllën turin e tyre studimor në Washington, ku kanë zhvilluar takime me rëndësi të lartë, me organet kompetente amerikane.

Së pari, përmendet takimi me anëtarët e Zyrës së Ambasadave për Zhvillimin e organeve hetimore jashtë vendit, si edhe trajnimi dhe asistenca që është dhënë nga ekipi i OPDAT – ndër më kryesorët mbështetës të SPAK, që prej krijimit.

Më tej, përshkruhet se kreu i SPAK, Altin Dumani, së bashku me delegacionin shqiptar, kanë takuar Zëvendës-Ndihmës Prokurorin e Përgjithshëm dhe Këshilltarin për Çështjet Ndërkombëtare, Bruce C. Swartz, si edhe Koordinatorin e Departamentit të Shtetit për Anti-Korrupsionin Global, Richard Nephew.

Delegacioni u takua gjithashtu me Divizionin e Operacioneve Speciale DEA, të Administratës së Luftës ndaj Drogës.

 

Më herët, ishte po Ambasada Amerikane, ajo e cila vuri në dukje vizitën studimore të anëtarëve të SPAK në SHBA.

“Të udhëhequr nga anëtarët e ekipit të Zyrës për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë Jashtë Vendit të Ambasadës së SHBA në Tiranë (OPDAT), zyrtarët e SPAK-ut u takuan me drejtuesit kryesorë të Departamentit të Drejtësisë nga OPDAT dhe Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnimin për Hetimet Penale (ICITAP)”.

Kështu shkruhej në një njoftim të Ambasadës së SHBA-ve.

Gjithashtu, aty bëhej me dije se prokurorët e SPAK diskutuan sfidat e sigurisë me Shërbimin Marshall të Shteteve të Bashkuara, i cili mbron gjyqtarët, prokurorët, stafin e gjykatës dhe dëshmitarët federalë të Amerikës.

Të ngjashme