Lajme
Zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës lirohen nga akuza për keqpërdorim detyre për autostradën e Gjilanit
Demokracia
14:12 | 07 Maj 2024

Share:

Gjykata Themelore e Prishtinës ka liruar nga akuza ish-Sekretarin e Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, dhe tre zyrtarë të tjerë të këtij dikasteri, përkatësisht Isa Berishën, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, të gjithë këta të akuzuar për keqpërdorime në tenderin për autostradën e Gjilanit.

Trupi gjykues ka thënë se të akuzuarit për rastin në fjalë lirohen nga akuza pasi që nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale, për të cilën akuzoheshin nga Prokuroria.

Ndryshe, në bazë të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale në shkurt të 2021, Reçica akuzohej se si ushtrues detyre i drejtorit të Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës gjatë vitit 2017, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion”, kishte ushtruar ndikim te komisioni vlerësues për ta bërë një raport për 10 ditë, në favor të kompanisë në fjalë, për ta shpallur të njëjtën fituese.

Përveç kësaj, mbi të rëndonin edhe akuzat për shpëlarje parash.

Ndërsa, të akuzuarit e tjerë Berisha, Limani dhe Emini akuzoheshin se nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare për të shpallur fitues operatorët ekonomikë që paraqitën çmim më të ulët.

Kundër këtij aktgjykimit, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Të ngjashme