Petr Cech nuk do të jetë pjesë e aventurës së re që e pret Chelsea me marrjen e klubit nga miliarderi amerikan Todd Boehly. Ish-portieri i ‘bluve’ do të largohet si këshilltar teknik dhe i performancës më 30 qershor, njoftoi klubi në një deklaratë të hënën në mëngjes.
Një pozicion që ai e fitoi në vitin 2019 pasi përfundoi karrierën e tij si lojtar. “Me pronarin e ri të klubit, mendoj se është koha e duhur që të tërhiqem. Jam i lumtur që klubi tani është në një pozitë të shkëlqyer me pronarët e rinj”, u shpreh Cech në deklaratën e klubit.
“Petr është një anëtar i rëndësishëm i familjes Chelsea. Ne e kuptojmë vendimin e tij për t’u larguar dhe e falënderojmë për kontributin si këshilltar dhe përkushtimin e tij ndaj klubit dhe komunitetit tonë. I urojmë atij më të mirën”, ka deklaruar pronari i ri i Chelseas, Todd Boehly./Demokracia.com/