Lajme
Zyrtare: Mbi 18 mijë qytetarë të Kosovës shkuan këtë të diel për të votuar në Serbi
Demokracia
13:46 | 04 Prill 2022

Share:

Mbi 18 mijë qytetarë të Kosovës kanë kaluar të dielën kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

Qytetarët e Kosovës me nënshtetësi të Serbisë kanë shkuar në dielën në këtë vend fqinj që të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare. Kjo pasi që Qeveria e Kosovës nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve serbe brenda territorit të Kosovës.

Në një përgjigje për Demokracia.com nga Policia e Kosovës kanë njoftuar se mbi 19 mijë qytetarë nga Serbia kanë hyrë në Kosovë, ndërsa mbi 18 mijë kanë dalë nga Kosova në Serbi.

Policia ka njoftuar se udhëtarët që e kanë kaluar këtë kufi kanë qenë me udhëtime të rregullta ditore, udhëtime jashtë vendit dhe udhëtime të biznesit.

“Referuar kërkesës suaj për statistikat e hyrje/daljeve për datën 03.04.2022 për PKK që lidhë Republikën e Kosovës me kufirin me Serbinë, duke filluar nga ora 07:00-23:00 janë. Në hyrje mbi 19000 udhëtarë ndërsa në dalje mbi 18000 udhëtarë, ku një pjesë e tyre kanë kaluar kufirin, udhëtime të rregullta ditore, udhëtime jashtë vendi, biznesit etj.”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Demokracia.com.

Më shumë se 25 autobusë u panë në stacionin e autobusëve në Mitrovicë të Veriut për të transportuar serbët, që ata të votonin në Rashkë. Transport u është mundësuar edhe serbëve në Graçanicë.

Transporti i qytetarëve për në Serbi është bërë nën organizimin e komunave serbe, si ato që funksionojnë në sistemin e Kosovës, po ashtu edhe ato të sistemit paralel.

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve të Serbisë ka thënë se rreth 100,000 serbë nga Kosova do të mund të votojnë në vendvotimet e tjera që gjenden në komunat në kufi me Kosovën, siç janë Tutini, Rashka dhe Vranja. /Demokracia.com/

Të ngjashme