Sport
Zyrtare: Kosova bëhet me trajner të ri
Demokracia
12:13 | 17 Shkurt 2021

Share:

Bujar Qerimi është emëruar selektor i Kosovës në hendboll (meshkujt). Vendimin është marrë nga Bordi i Federatës së Hendbollit të Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Emri i njohur i hendbollit kosovar do të jetë në krye të ekipit kombëtar në katër ndeshjet e fazës së dytë kualifikuese për “Euro 2022”.

Kosova më 10 mars e pret Rumaninë në Prishtinë, ndërsa më 14 mars luan ndaj Rumanisë si mysafire. Në fund të prillit Kombëtarja jonë e pret Malin e Zi kurse në fillim të majit luan si mysafire ndaj nënkampiones së botës, Suedisë.

“Bordi ka marrë vendim për selektorin pas situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 që ka prekur sportin në gjithë botën. Për shkak të kufizimeve në udhëtim, selektori i deritashëm, Taip Ramadani e ka të pamundur që të udhëtoj nga Australia që të jetë në krye të ekipit. Për këtë arsye Ramadani ka ofruar dorëheqjen e tij. Bordi, duke çmuar kontributin e Ramadanit, ka vendosur të pranojë dorëheqjen e tij, duke u bazuar në rrethanat e krijuara”, thuhet në njoftimin e FHK-së, transmeton Demokracia.com.

Bordi i FHK-së ka vendosur që pozitën e selektorit t’ia besojë ish-lojtarit të Borcit të Ferizajt, Bujar Qerimit. Ai ka bërë karrierë si trajner në Belgjikë. Së fundi ishte seleksionues i U-20 të Belgjikës. Tani Qerimi do të jetë në krye të Kombëtares sonë për këto katër ndeshje.

FHK-ja ishte e interesuar edhe për trajnerët tjerë shqiptarë, Jasmin Zhuta e Ibish Thaqi. Por kësaj radhe u vendos për Bujar Qerimin, një emër të respektuar të hendbollit kosovar. /Demokracia.com

Të ngjashme