Lajme
Zyrtare: Haradinaj shkon në takimin e thirrur nga Kurti
Demokracia
12:48 | 29 Gusht 2022

Share:

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nesër do t’i shkojë në takim kryeministrit Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka thirrur për nesër në takim krerët e partive opozitare për të biseduar për takimin e fundit që kishte në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Këtë ftesë të Kurtit tashmë e ka pranuar i pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka thënë se do t’i përgjigjet ftesës së kryeministrit Kurti dhe do të marrë pjesë në takimin e thirrur për ditën e nesërme.

Haradinaj ka thënë se arsyeja përse i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Kurtit, është për shkak se, siç ka shkruar ai, çështja e dialogut për njohje është çështje mbipartiake.

Postimi i plotë i Haradinajt, pa ndërhyrje:

I jam përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit Kurti, për një bashkëbisedim lidhur me takimet e fundit që janë zhvilluar në Bruksel.

Për mua dhe Aleancën, çëshja e dialogut për njohje, gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake. Këtë përcaktim e kam pasur edhe gjatë kohës sa e kam udhëhequr qeverinë e vendit.

Gjithmonë kam konsideruar se për tema të interest nacional, nuk ka qeveri dhe opozitë. Të gjithë e kanë pjesën dhe rolin e tyre.

Megjithëse nuk mund ta lë pa e përmendur se Alenacën si parti, por edhe Opozitën në tërësi, kryeministri Kurti këtë herë i kishte përjashtuar nga çfarëdo konsultimi, apo edhe më keq, informimi, lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në Bruksel.

U jam mirënjohës të dërguarit amerikan Escobar,  ambasadorit amerikan në Prishtinë, Hovenier, si dhe përfaqësuesit të BE Lajçak, për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm, por edhe për faktin se në baza ditore na kanë mbajtur të informuar për krejt çfarë ka ndodhur në Bruksel.

Të ngjashme