Lajme
Zyrtare: Administrata e Biden-it insiston në ekstradimin e Julian Assange të WikiLeaks
Demokracia
10:33 | 10 Shkurt 2021

Share:

Administrata e Presidentit Joe Biden ka në plan të vazhdojë të kërkojë ekstradimin e themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange, nga Mbretëria e Bashkuar në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat e komplotit të piraterisë, tha Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, shkruajnë mediat e huaja, transmeton Demokracia.com.

Zëdhënësi i Departamentit të Drejtësisë, Marc Raimondi, të martën tha se Qeveria amerikane do të vazhdojë të kundërshtojë vendimin e një gjykatësi britanik muajin e kaluar që Assange nuk duhet të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara për shkak të rrezikut që ai të vetëvritet.

Në një vendim të 4 janarit, gjyqtarja Vanessa Baraitser tha: “Unë konstatoj se gjendja mendore e z. Assange është e tillë që do të ishte gabim për ta ekstraduar atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Gjykatësja britanike vendosi ditën e premte si një afat për Shtetet e Bashkuara të apelojnë vendimin e saj që ndalon ekstradimin e Assange.

Debati mbi lëvizjet e mundshme amerikane për të kërkuar ekstradimin e Assange nga Britania u ngrit për herë të parë gati një dekadë më parë kur Barack Obama shërbeu si president dhe Joe Biden si nënkryetar i tij.

Departamenti i Drejtësisë i Obamës vendosi të mos kërkojë ekstradimin e Assange, me arsyetimin se ajo çka Assange dhe WikiLeaks bënë ishte shumë e ngjashme me aktivitetet gazetareske të mbrojtura nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së SHBA.

Zyrtarët e administratës Trump rritën kritikat publike ndaj Assange dhe WikiLeaks vetëm disa javë pasi morën detyrën në janar 2017 dhe më pas ngritën një seri akuzash gjithnjë e më të ashpra penale duke akuzuar Assange për pjesëmarrje në një komplot hakimi. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme