Lajme
Zyra në Suharekë lëshon diploma me vulë të Serbisë
Demokracia
21:06 | 08 Shkurt 2021

Share:

Qendra për Aftësim Profesional “New Born Master” funksionon në Suharekë, lëshon dokumente me vulë të Serbisë.

Selinë e ka në Suharekë dhe emrin e biznesit e ka regjistruar në gjuhën angleze, kurse diplomat e lëshuara nga kjo Qendër për Aftësim Profesional “New Born Master”, kanë vulën e institucioneve të Serbisë.

Ka kohë që kjo qendër, është funksionale në qytetin e Suharekës e që u jap mundësi të rinjve për punësim jashtë vendit.

Megjithatë me një kërkim në internet, del se një qendër për aftësim profesional me emër të njëjtë nuk ekziston as në Slloveni, e as në Serbi.

Një ekip i T7, pa u identifikuar si gazetarë kanë qëndruar në këtë qendër për të parë se si e njëjta funksionon.

Por, për të aplikuar këtu nuk ka nevojë as që të kryhet ndonjë kurs i organizuar nga ta.

Ata kërkojnë që klientët të sigurojnë vetëm një referencë që kanë punuar më herët, derisa diploma e kësaj qendre blihet me para.

Ndonëse duket se “New Born Master” nuk ekziston në Beograd, diploma e lëshuar në Kosovë ka vulë të Serbisë.

Ndërkohë në ARBK figuron se ky biznes është regjistruar në vitin 2006 dhe se kapitali është 2500 euro.

Veçse aktivitetet e biznesit janë prej ndërtimit, transportit, restorantit, kujdesit social e deri tek arsimi i mesëm teknik e profesional.

E duket se kryetari i kësaj komune Bali Muharremaj, nuk është në dijeni për ketë.

Por i pari i Suharekës thotë se menjëherë do t’i dërgojë inspektorët në atë vend, për ta hetuar rastin.

Televizioni është interesuar për këtë çështje pas ankesave të disa banorëve të Suharekës.

Të ngjashme
Lajme • 20 Prill 2025