Lajme
Zyra e Kurtit e shpërblen me tender mbi 30 mijë euro Sfishtën e PDK-së
Demokracia
15:18 | 04 Korrik 2022

Share:

Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë për servisim dhe mirëmbajtje tri vetura. E tenderin për këtë punë ia ka besuar një njeriut të PDK-së, që ka synuar të bëhet edhe asamblist në Komunën e Prishtinës. Zyra e Kurtit dhe kompania “Sfishta Auto Home” kanë lidhur kontratë për mbi 30 mijë euro. 

Bindjet politike e qëndrimet partiake i kanë të ndryshme. Edhe garën për pushtet, Partia Demokratike e Kosovës e Lëvizja Vetëvendosje e kanë pasur të fortë e “armiqësore”.

Por, tash kur Vetëvendosje është në pushtet e PDK-ja në opozitë, duket se gjërat kanë filluar të ndryshojnë, shkruan Demokracia.com.

Zyra e kryeministrit Albin Kurti dhe kompania e kandidatit të PDK-së për asamble komunale të Prishtinës, Arsim Sfishta, kanë nënshkruar edhe kontratë me njëra-tjetrën.

Zyra e Kurtit ka vendosur që t’ia besojë servisimin dhe mirëmbajtën e veturave kompanisë “Sfishta Auto Home”, që për pronar e ka Arsim Sfishten.

Tenderi për këtë punë i ka kushtuar zyrës së Kurtit mbi 30 mijë euro.

Ky tender është ndarë në tri loto/pjesë dhe të tria i ka fituar kjo kompani.

Siç është treguar në njoftimin e shpallur në KRPP, me këto para do të servisohen dhe mirëmbahen tri vetura të ndryshme, një BMW, një Scoda dhe një Toyota.

Për servisimin e veturës BMW janë dhënë 5 mijë e 444 euro, përcjell Demokracia.com.

“Kontrata No.: ZK104-22-4559-2-2-1/C73. Grupi No.: 1. Grupi: Servisimi i automjetit BMW. Data e nënshkrimit te kontratës: 30.06.2022. Numri i tenderëve të pranuar: 5. Numri i tenderëve të përgjegjshëm: 4. Vlera e përgjithshme e kontratës 5 444,72 Grup i Operatorëve Ekonomik SFISHTA AUTO HOME SH.P.K.; N.T.SH.  SFISHTA”, thuhet në njoftim.

Kurse, kontrata tjetër në vlerë prej 9 mijë e 382 eurove është lidhur për servisimin e veturës Scoda.

“Kontrata No.: ZK104-22-4559-2-2-1/C73. Grupi No.: 2 Grupi: Servisimi i automjeteve Scoda. Data e nënshkrimit te kontratës: 30.06.2022. Numri i tenderëve të pranuar: 5. Numri i tenderëve të përgjegjshëm: 5. Vlera e përgjithshme e kontratës 9 382,74 Grup i Operatorëve Ekonomik SFISHTA AUTO HOME SH.P.K.; N.T.SH.  SFISHTA”.

Ndërkaq, për kontratën e tretë janë dhënë 15 mijë e 832 euro. Këto para janë paraparë të shkojnë për servisimin e veturës Toyota.

“Kontrata No.: ZK104-22-4559-2-2-1/C73. Grupi No.: 3. Grupi: Servisimi i automjeteve Toyota. Data e nënshkrimit te kontratës: 30.06.2022. Numri i tenderëve të pranuar: 5. Numri i tenderëve të përgjegjshëm: 4. Emri zyrtar: Grup i Operatorëve Ekonomik SFISHTA AUTO HOME SH.P.K.; N.T.SH.  SFISHTA. Vlera e përgjithshme e kontratës 15 832,81”.

Kontrata mes Zyrës se Kryeministrit dhe kompanisë fituese është nënshkruar në muajin e kaluar më 30.06.2022.

Arsim Sfishta në zgjedhjet e fundit që janë mbajtur në Kosovë, gjatë vitit të kaluar, ka qenë në listën e Partisë Demokratike të Kosovës si kandidat për Kuvend Komunal të Prishtinës.

Nën numrin 40, sa e kishte në listën garuese, Sfishta kishte mbajtur aktivitete të ndryshme në kërkim të votës./Demokracia.com/

 

Të ngjashme