Flamuri i Kosovës dhe një pankartë me hartën e “Shqipërisë së Madhe” janë vendosur sot përballë hotelit në Davos të Zvicrës ku po qëndronte delegacioni i Serbisë.
Pankarta dhe flamuri janë varur para mbërritjes së delegacionit serb të kryesuar nga presidenti Aleksandar Vuçiq, njoftoi Radio Televizioni i Serbisë, transmeton Demokracia.com.
“Pas mbërritjes në Davos, Vuçiq u takua veçmas në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror me themeluesin e Affinity Partners, Jared Kushner, dhëndrin e ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrat e Spanjës dhe Belgjikës, Pedro Sanchez dhe Alexander De Croo. Vuçiq do të qëndrojë në Davos deri të enjten, ku do të marrë pjesë në tubimet e liderëve botërorë dhe do të ketë takime me zyrtarë shtetërorë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, institucioneve financiare dhe kompanive globale”, shkruan rts-ja.
Nesër, ndër të tjera, ai do të bisedojë me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.
Në Davos gjendet edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në Davos nuk është paraparë ndonjë takim ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit. /Demokracia.com/