Nga fillimi i marsit, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka mbetur pa bord. Pavarësisht asaj që më 23 dhjetor është mbyllur konkursi për zgjedhjen e anëtarëve të rinj, komisioni përzgjedhës ende nuk i ka propozuar kandidatët që duhet të votohen në Kuvend. Deputetët e pranojnë se procesi po zvarritet.
2.5 miliardë euro kanë mbetur pa menaxhim. Kjo për shkak se nga 28 shkurti, anëtarëve të bordit të këtij fondi u ka përfunduar mandati. Më 23 dhjetor është mbyllur konkursi për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të bordit drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale.
Që nga atëherë, komisioni përzgjedhës, i përbërë nga ministri i Financave, guvernatori i BQK-së e auditori i përgjithshëm, po vazhdon të mos bëjë përzgjedhjen për anëtar të bordit, të cilët duhet të votohen në Kuvend.
Nga Fondi i Kursimeve Pensionale kanë thënë se, në mungesë të bordit, po u pamundësohet lëvizja e mjeteve. “Mungesa e Bordit Drejtues ia pamundëson institucionit çfarëdo lëvizje të mjeteve pensionale, pra që investimet aktuale nuk mund të ndryshohen (shtohen ose tërhiqen), ashtu sikurse të gjitha kontributet e reja pensionale që arkëtohen ? nuk mund të investohen”, tha për RTK Jeton Demi, zëdhënësi për media i Trustit.
Nga Banka Qendrore e Kosovës thanë për RTK-së se guvernatori Fehmi Mehmeti ka bërë tri herë kërkesë tek ministri i Financave dhe Auditori i Përgjithshëm lidhur me procesin, por që nuk ka marrë një përgjigje.
Ministria e Financave për këtë proces kërkoi që përgjigjet t’i marrim nga Kuvendi i Kosovës.
Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Buxhet e pranojnë se për mungesë të bordit, Trusti po shënon humbje.
Gjatë vitit të kaluar Trusti ka humbur mbi 118 milionë euro si pasojë e rënies së vlerës së aseteve të saj në tregjet financiare.