Lajme
DOKUMENT| Drejtori u tregon në RTK si të raportojnë për “Zajednicën”, zëvendësi i tij Adi Krasta shkel rregulloren e brendshme
Demokracia
16:13 | 08 Shkurt 2023

Share:

Pas zgjedhjes së menaxhmentit të ri të Radiotelevizionit të Kosovës, gazetarët e këtij televizioni po përballen me një trysni të jashtëzakonshme.

Përderisa për gazetarët e RTK-së është problematike të japin edhe qëndrime personale në rrjetet e tyre sociale, Adi Krasta, i cili së fundmi ka marrë detyrën e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm në RTK, po vazhdon ta mbajë emisionin e tij në një televizion tjetër, shkruan Demokracia.com.

Krasta po vazhdon ta mbajë emisionin e tij “A-Show”, që transmetohet në “Syri”, duke shkelur kështu rregulloren për procedurat e përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm dhe menaxhmentit të lartë të RTK-së.

“Të mos ketë angazhime biznesi ose çfarëdo lloj çështjeje të cilat mund të konsiderohen si konflikt interesi, i paraparë në bazë të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik”, thuhet në rregulloren që po lejohet ta shkelë Krasta.

Demokracia.com ka siguruar një e-mail që Drejtori i Përgjithshëm ka ndarë me menaxhmentin e ri, ku ata udhëzohen se si duhet të raportojnë dhe të sillen.

“Kërkoj që t’i udhëzoni stafin të lexojnë rregulloret e brendshme dhe të evitojnë deklarimet publike, të cilat janë në kundërshtim me standardet tona dhe vënë në dilemë pavarësinë editoriale. Shpresoj në mirëkuptimin tuaj për ndarjen e pikëpamjeve dhe pres që bashkërisht të rrisim volumin dhe cilësinë e raportimit anekënd Kosovës”, thuhet në e-mailin e siguruar nga Demokracia.com, të cilin ua ka dërguar Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

 

Në këtë e-mail, drejtori Shkumbin Ahmetxhekaj u kërkon që të raportojnë me kujdes edhe për Asociacionin, që kryeministri Kurti e ka quajtur deri vonë “Zajednicë”, ku duket se nuk i pëlqejnë qëndrimet e njëjta kundër saj nga analistët.

“Asociacioni – Sipas vlerësimit tim, kjo temë nuk mund të shmanget nga raportimi, por e shoh të panevojshme që në vazhdimësi të bëhen tema me opinionet e dy analistëve se çfarë do të ndodh me këtë proces. Kemi përsëritje të kësaj teme dhe me qëndrime kryesisht të njëjta”, shkruan Ahmetxhekaj në e-mailin e tij, duke shtuar se “nuk besoj që publiku pret nga ne, që në baza të rregullta të marrim analistë, të cilët parashikojnë se çfarë mund të jetë epilogu i këtij procesi.

“Kjo temë kërkon kujdes sepse po flasim për një proces i cili mund të përdoret nga faktorë të jashtëm për të ndikuar në sistemin e brendshëm”, ka shkruar Ahmetxhekaj.

Pushteti aktual, që Ahmetxhekajn e ka vënë në krye të RTK-së, e kishte demonizuar aq shumë me propagandë politike Asociacionin, duke e serbizuar atë edhe më shumë me emrin “Zajednicë”, saqë tash duket se u është paraqitur nevoja që t’i reduktojnë edhe qëndrimet e analistëve në kundërshtim të tij. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme