Vazhdon metamorfoza e Zuckerberg dhe Meta-s në prag të inaugurimit të presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Zuckump.
Vijon metamorfoza e Zuckerberg dhe Meta-s në prag të inaugurimit të presidentit të ri të SHBA-ve, Donald Trump.
Një transformim i shpejtë brenda vetëm gjashtë javësh, që i ka habitur madje edhe punonjësit e kompanisë, raporton New York Times.
Pas eliminimit të kontrollit të fakteve vetëm në Shtetet e Bashkuara, një veprim me peshë të madhe politike dhe simbolike, si dhe ndryshimit të politikave të moderimit të përmbajtjeve në Facebook dhe Instagram – i cili do të zbatohet në shkallë globale javët e ardhshme – Meta ka njoftuar punonjësit për ndërprerjen e menjëhershme të programeve kryesore të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes (DEI).
Kjo do të thotë se nuk do të ketë më një ekip të dedikuar për mbrojtjen e minoriteteve në proceset e rekrutimit, trajnimit dhe përzgjedhjes së furnitorëve.
Maxine Williams, drejtuesja aktuale e diversitetit, do të marrë një rol të ri të fokusuar në qasje.
Ndërkohë, Roy Austin, nënkryetari për të Drejtat Civile, ka dhënë dorëheqjen, duke theksuar “kompleksitetet dhe sfidat e punës sonë”, ndërsa 13 anëtarët e ekipit të tij do të transferohen në role të tjera.
Në një deklaratë nga Meta, zëvendëspresidentja e burimeve njerëzore, Janelle Gale, argumenton se, “peizazhi ligjor dhe politik që lidhet me përpjekjet për diversitet, barazi dhe përfshirje në SHBA po ndryshon”.
Ajo shton se Gjykata e Lartë e SHBA-ve ka marrë kohët e fundit vendime që sugjerojnë një ndryshim në mënyrën se si gjykatat do t’i trajtojnë programet DEI.
“Kuptimi i termit DEI ka ndryshuar, pasi disa e interpretojnë atë si trajtim preferencial të disa grupeve mbi të tjerët. Synimi tani është zbatimi i praktikave të drejta dhe të njëtrajtshme që zvogëlojnë paragjykimet për të gjithë, pavarësisht prejardhjes”.
Kompania pretendon se, nuk do të ketë trajtim preferencial për “mbështetjen më të mirë të personave të pa-përfaqësuar në fuqinë tonë punëtore dhe përmes produkteve tona”, ndryshe nga ajo që shkruhej në raportin e fundit për diversitetin nga Maxine Williams në 2022.
Ky raport tregonte se, pavarësisht përpjekjeve, vetëm 37.1 % e fuqisë punëtore ishin gra, 4.9% ishin afro-amerikanë dhe 6.7 % hispanikë.
Ndërkohë, Zuckerberg duket i pandalshëm dhe entuziast, duke shprehur hapur mendimet e tij.
Në një intervistë me Joe Rogan, podkasterin më të njohur në Amerikë, me të cilin Trump kishte folur për tre orë gjatë fushatës zgjedhore, Zuckerberg tha se “tani kam shumë më tepër kontroll mbi atë që mendoj se duhet të jetë politika, dhe besoj se kështu do të jetë edhe në të ardhmen”.
Ai gjithashtu sulmoi administratën e presidentit aktual Joe Biden, duke pretenduar se ishte detyruar të “censuronte” disa përmbajtje.
Sipas tij, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kishin “ulëritur” dhe “sharë” punonjësit e Meta-s gjatë diskutimeve mbi moderimin e përmbajtjeve për COVID-in gjatë pandemisë.
Në atë kohë, në prag të fushatës së parë të vaksinimit në vitin 2020, Meta kishte vendosur të fshinte informacionet e rreme për vaksinat, ndërsa më parë ishte përpjekur vetëm të reduktonte dukshmërinë e faqeve dhe grupeve antivaksinë dhe të refuzonte reklamat e rreme për këtë temë.
Presidenti Biden e quajti “të turpshme” vendimin e Meta-s për të hequr kontrollin e fakteve.
Ai tha se, “e vërteta ka rëndësi”.
Brenda Meta-s ka pasur gjithashtu nervozizëm.
Një punonjës LGBT shkroi në platformën e brendshme Workplace: “Jam LGBT dhe kam probleme me shëndetin mendor. Do të marr kohë për veten”.
Ndërsa disa komente të lejuara tani sipas rregullave të reja të moderimit përfshijnë fraza të tilla si: “Një grua transgjinore nuk është grua, është një burrë i mjerë dhe i hutuar” ose “Zoti krijoi dy gjini, personat transgjinorë nuk janë realë”.
Një tjetër punonjës shprehu shqetësim mbi eliminimin e programeve DEI.
“Nëse rezultati i zgjedhjeve do të ishte ndryshe, asgjë nga këto nuk do të ndodhte? Do të thotë që kemi bërë gjëra në të cilat nuk kemi besuar? A do të kemi ndryshime kaq të mëdha sa herë të ndryshojë pushteti?”
Sipas burimeve të New York Times, ndryshimi i Zuckerberg dhe Meta-s ka një qëllim të dyfishtë: të pozicionohet në prag të 20 janarit, kur Trump merr detyrën, dhe të shfaqë hapur opinionet e tij personale, të cilat nuk dëshiron më t’i fshehë.
“Dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen”, tha ai.