Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk e ka publikuar ende vendimin për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për personat që shpenzojnë më shumë se 800 kWh rrymë në muaj.
Në reagimin e AAK-së thuhet se në procesin e rritjes së çmimeve të rrymës s’ka transparencë.
Më tutje nga kjo parti thonë se nga dje shteti do të jetë më i varfër. Ata i kanë bërë thirrje ZRrE-së që të jenë më transparent dhe të tregojnë çmimin real të energjisë me tarifat e reja.
“Prej dje Shteti do të jetë më i varfër e me këtë edhe ju do të jeni më të varfër. I bëjmë thirrje ZRRE-së dhe qeverisë që të tregojnë transparencë dhe menjëherë të tregojnë çmimin real dhe mënyrën e ndarjes së 100 milionë eurove të taksave tona. Si rrjedhojë e këtij mashtrimi ordiner i bëjmë thirrje qeverisë që ta shfuqizojë vendimin për shtrenjtimin e rrymës”, thuhet më tutje në reagim.