Lajme
ZRRE aprovon kërkesën e KESCO-s lidhur me faturat energjetike
Demokracia
18:07 | 31 Mars 2022

Share:

Ngritja e çmimit të energjisë elektrike ka detyruar Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike, që ta ndryshojë dizajnin e faturave të saj.

Këtë kërkesë të KESCO-s, Zyra për Rregullatorin e Energjisë, ia ka aprovuar nëpërmjet një vendimi të marrë më 16 shkurt të këtij viti.

Një vendim i tillë, siç bën të ditur ZRrE, do të zbatohet në tërë territorin e Kosovës.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se ZRrE, më 16 shkurt, ka pranuar kërkesën nga KESCO për aprovimin e dizajnit të ri të faturës për konsumatorët e cila to zbatohet në tërë vendin, bazuar në vendimin e këtij bordi, i marrë më 8 shkurt.

Kjo kërkesë e KESCO-s thuhet se ka ardhur si rrjedhojë e aprovimit të tarifave me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët me të drejtë të furnizimit me Shërbim Universal.

“ZRRE ka shqyrtuar kërkesën e Furnizuesit me Shërbim Universal – KESCO dhe vlerëson se dizajni i ri i faturës i plotëson kërkesat e dalura nga vendimi i Bordit të ZRRE-së nr. V_1489_2022 të datës 08.02.2020”, thuhet në një prej pikave të arsyetimit në këtë vendim.

Megjithatë, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji, edhe ditën e sotme ka mbajtur seancën e tij të shtatë me radhë për këtë vit.

Në këtë seancë, pas shqyrtimit të Raportit Vjetor për vitin 2021, Bordi i ZRRE-së në përputhje me kërkesat ligjore të nenit 10 të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, ka dërguar Raportin Vjetor në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Raporti paraqet një pasqyrë detale të aktiviteteve të zhvilluara dhe arritjeve kryesore të ZRRE-së dhe të sektorit të energjisë në vitin 2021.

Më 22 dhjetor të vitit të kaluar, në Kosovë kanë filluar reduktimet e energjisë elektrike si pasojë e një krize globale energjetike.

E gjendur në këtë situatë, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se do të fokusohet në ndërtimin e kapaciteteve të reja për energji të ripërtërishme, përfshirë atë solare dhe të erës.

Më 11 mars është vënë në funksion parku i prodhimit të energjisë nga era, i cili ndodhet në fshatrat Bajgorë dhe Selac të Mitrovicës së Jugut.

Ky park i erës, që përfshin 27 turbina, mbulon 10 për qind të kapacitetit prodhues që ka Kosova.

Më 24 mars, Qeveria e Kosovës i ka dhënë dritën jeshile edhe ndërtimit të një projekti solar në vlerë prej 64 milionë eurosh në komunën e Obiliqit.

Sipas Qeverisë së Kosovës, ky projekt, mes tjerash, nënkupton: reduktim të dyoksidit të karbonit për 40 mijë tonë në vit; reduktim të kërkesës për energji elektrike për qëllime të ngrohjes dhe kyçje në rrjetin e ngrohjes për 12 mijë familje apo 60 mijë banorë.

Të ngjashme