Lajme
ZPS-ja kundërshton kërkesën e Gucatit për ta vizituar nënën e tij të sëmurë
Demokracia
20:38 | 05 Prill 2023

Share:

Zyra e Prokurorit të Specializuar [ZPS] e ka konsideruar si “të pabazë” kërkesën e mbrojtjes së ish-kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucatit, për vizitë të nënës së tij, gjendja shëndetësore e së cilës në parashtresën e lëshuar nga Gjykata Speciale paraqitet si e rëndë.

Në parashtresën që ka parë Demokracia.com pretendohet se në raportin mjekësor të prezantuar nga mbrojtja e Gucatit ekzistojnë “disa rreshta të paqartë”, derisa një pjesë e konsiderueshme e arsyetimit është e redaktuar.

“Kërkesa e Pestë pohon se nëna e GUCATIT është në [E REDAKTUAR]. Raporti Mjekësor është i përbërë nga disa rreshta të paqartë, gjë që nuk e mbështet këtë pretendim. Ai i referohet gjendjes së saj mjekësore si [E REDAKTUAR] dhe nuk jep asnjë bazë për pohimin se “[E REDAKTUAR]”. Raporti mjekësor gjithashtu thekson se nëna e GUCATIT është [E REDAKTUAR]. Sikur Raporti Mjekësor i 22 shkurtit të 2022-ës të përmbante ndonjë informacion që tregon urgjencë të vërtetë, duhet të supozohet se Mbrojtja do ta kishte paraqitur kërkesën në një datë më të hershme”, thuhet në parashtresën e ZPS-së.

Prokuroria e Speciales e ka parë edhe si problem çështjen që Gucati kërkesën po e parashtron si i dënuar nga gjykata.

“Shpeshtësia e vizitave të fundit të GUCATI-t tek nëna e tij dhe mungesa e detajeve përkatëse në Raportin Mjekësor nuk janë faktorët e vetëm që duhet të merren parasysh në përcaktimin e Kërkesës së Pestë. Që nga rasti i fundit kur GUCATI u autorizua për të vizituar nënën e tij, një Kolegj i Gjykatës së Apelit ka konfirmuar dënimet për pengim të personave zyrtarë, frikësimin e dëshmitarëve dhe shkeljen e fshehtësisë së procedurës. GUCATI tani vuan dënimin prej 4 vjet e 3 muaj. Ky është një tjetër faktor shumë domethënës”, thuhet më tej aty.

Në kërkesën që ka parashtruar mbrojtja, u theksua se Gucati do të qëndronte për një ditë në Kosovë.

“Prandaj, nëse gjyqtari pranon kërkesën e z. Gucati për vizitë, Sekretari konsideron se një transferim i përkohshëm i z. Gucati në Kosovë për një (1) ditë, [I REDAKTUAR], do të ishte i realizueshëm, duke kuptuar që z. Gucati do të mbetej në kujdestari të Dhomave të Specializuara në çdo kohë”, thuhej në kërkesë.

Gucati ka vizituar nënën e tij, e cila është në gjendje të rëndë shëndetësore, edhe katër herë të tjera përgjatë kohës sa po mbahej në paraburgim në Dhomat e Specializuara në Hagë. /Demokracia.com/

Të ngjashme