Në letrën që krerët institucionalë ia kanë dërguar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis, janë zotuar për shumë çështje.
Në listën e gjatë të letrës së zotimeve, e cila është nënshkruar nga Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamenatri Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, është futur edhe çështja Projektligjit për Shpronësimin e Pronave të Paluajtshme, i cili është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës.
Aty udhëheqësit e Kosovës e japin fjalën se kjo çështje do të bëhet sa më shpejt që është e mundur.
Te lista e zotimeve që ka të bëjë me funksionimin e institucioneve demokratike dhe respektimin e sundimit të ligjit, ata kanë janë zotuar edhe për disa çështje tjera.
“Të sigurohemi që shpronësimet të kryhen sipas respektimit më të rreptë të ligjit dhe se çfarëdo legjislacioni i ardhshëm në këtë fushë të jetë në përputhje të plotë me Planin e Ahtisarit, përfshirë fushën e mbrojtjes së pronave të Kishës Ortodokse Serbe; të amendamentohet sipas rrethanave draft-ligji për Shpronësimin e Pronave të Paluajtshme, i cili është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, sa më herët që është e mundshme”, thuhet ndër të tjera në shtojcën që Osmani, Konjufca dhe Kurti ia kanë bashkangjitur letrës së tyre për Dora Bakojanis.
Në shtojcë nuk sqarohet se çka duhet të ndryshohet në projektligjin në fjalë. Deri me tani as Qeveria e Kosovës nuk ka sqaruar se çka do të amandamentohet në këtë projektligj.
Çështja e shpronësimeve në veri, të cilat Qeveria i ka nisur në vitin 2023 është bërë problematike. Madje, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se kjo çështje do të jetë kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Çka thotë projektligji?
Qeveria e Kosovës Projektligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme e ka miratuar më 22 nëntor të vitit të kaluar.
Pas miratimit, ministri i Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka treguar për përmbajtjen e këtij ligji.
“Projektligji për Fushën e Shpronësimit të Pronës së Paluajtshme përmban 14 kapituj dhe ka gjithsej 52 nene, dhe ka për qëllim adresimin e të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me krijimin e një sistemi të qëndrueshëm për procedurat e shpronësimit të pronës së paluajtshme në Republikën e Kosovës”, kishte shkruar Ali në profilin e tij në “Facebook”.
Më tej, ai ka treguar për qëllimin e këtij projektligji.
“Projektligji ka për qëllim përcaktimin e rregullave dhe kushteve sipas të cilave Qeveria ose një Komunë bënë shpronësimin e të drejtave pronësore në pronën e paluajtshme për realizimin e interesit publik, rregullat dhe kushtet sipas të cilave Qeveria bënë kufizimin dhe shfrytëzimin e përkohshëm të pronës së paluajtshme si dhe rregullat dhe procedurat të cilat do të përdoren për përcaktimin e vlerësimit dhe kompensimit të shpronësimit ose kufizimit të pronësisë. Projektligji nuk përmban elemente diskriminuese si dhe për zbatimin e tij nuk nevojiten mjete të konsiderueshme buxhetore”, kishte vlerësuar Aliu.
Në janar të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka miratuar një vendim për shpronësimin e disa tokave në Komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut.
Bëhet fjalë për shpronësim të 80 hektarëve në fshatrat Dren dhe Leshak të komunave Leposaviq dhe Zubin Potok, shkruan Nacionale.
Këtë vendimin qeveria e kishte arsyetuar, duke thënë se ka planifikuar projekte infrastrukturore me interes publik. Më vonë ishte kuptuar se bëhet fjalë për ndërtimin e një stacioni policor. Një gjë e tillë ishte kundërshtuar nga serbët lokalë, duke organizuar edhe protesta. Ata kanë vlerës se vendimi i Qeverisë për shpronësime nuk ishte në përputhje me ligjet në fuqi.
Ndaj këtij procesi ka reaguar BE-ja dhe SHBA-ja, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës të respektohet ligjet e Kosovës.