Lajme
Zogiani jep një deklaratë të “pistë” për gazetarët, i krahason me derrat
Demokracia
18:47 | 18 Prill 2022

Share:

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani, i ftuar në emisionin Frontal të televizionin T7, duke komentuar raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, ka thënë se është gabim që institucionet të hyjnë në luftë me media. Zogiani këtë e ilustroi me krahasimin e gazetarit me derrin, duke deklaruar se atyre iu pëlqejnë të kenë reagime të tilla.

“Është gabim të futesh në luftëra të tilla, është një thënie e një gazetari amerikan ‘nuk duhet kurrë ta fillosh një luftë me media, të luftosh me gazetarin, është ngjashëm si të luftosh me derrin, ti bëhesh i pistë, ai bëhet i pistë. I pëlqen gazetarit, sepse në fakt mediat, gazetarët kanë dëshirë të kenë reagime të tilla” tha ai.

Madje, sipas Zogianit, qasja e ministrit Xhelal Sveçla ndaj mediave nuk është skandal i madh.

Sveçla gjatë së premtes, një pyetje të gazetares së një mediumi online e kishte cilësuar si ‘budallallëk’.

“Unë mendoj që fjalët mund të zgjidhen gjithmonë më të përshtatshme, mirëpo nuk është skandal i madh të thuash ‘pyetje budallallëk’, në media ndërkombëtare në vazhdimësi ka reagime të ngjashme”, tha Zogiani.

Në këtë intervistë, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë që ndodh shpesh që mediat në Kosovë, madje edhe në mënyrë të pavetëdijshme të ndikohen nga ato në Beograd.

“Reagimi i mediave ka të bëjë me prerjen e financave nga paraja publike, tani megjithatë mendoj që mund të vazhdojë gjithë ky diskutim me njëfarë profili më të ultë, nuk mendoj që pushteti duhet t’i përgjigjet secilit raportim medial, është gabim me u përfshi në luftëra të tilla”, u shpreh Zogiani.

Të ngjashme
Lajme • 20 Prill 2025