COVID-19KosovaSot:8Të gjitha:272,075|Bota 623,014,271
Lajme
Zjarrvënia e Putinit në Ballkan: Si po tenton Rusia depërtimin në det nëpërmjet Republikës Serbe
Demokracia
15:18 | 08 Gusht 2022

Share:

Nën hijen e luftës së Ukrainës, konflikti i fjetur prej vitesh po ndizet sërish në Evropë – shkruan gazeta gjermane Welt për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës në edicionin e fundjavës.

Autorja Mandoline Rutkovski fillimisht ua përshkruan lexuesve ngjarjet e dhjetë ditëve më parë në veri të Kosovës, e më pas citon korrespondentin shumëvjeçar të agjencisë gjermane DPA, Thomas Bray.

Bray e përshkruan sfondin e problemit si më poshtë:

“Vuçiq e paraqet veten si “mbrojtës i interesave serbe” dhe “në këtë mënyrë favorizon votuesit”, dhe BE-ja e lejon, “sepse ai është shpresa e tyre e vetme për të arritur një kompromis për çështjen e Kosovës që do të ishte i pranueshëm për serbët”. Në të njëjtën kohë, Vuçiq guxon të ecë në litarin e ngushtë gjeostrategjik. Edhe pse vendi i tij ka lidhje të ngushta ekonomike me BE-në, me të cilën kryen rreth dy të tretat e tregtisë së tij, megjithatë ideologjikisht presidenti është i orientuar drejt Lindjes. Serbia, për shembull, dënoi luftën e agresionit të Rusisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, por nuk iu bashkua sanksioneve perëndimore. Me një çmim të favorshëm, ai vend blen gazin rus, nga i cili është kryesisht i varur”.

Një pjesë e përgjegjësisë për situatën e ka edhe BE-ja, vlerëson Bray, sepse ajo “nuk vepron e bashkuar sepse interesat e shteteve ndryshojnë”. Këtë tezë për përgjegjësinë e pjesshme të Bashkimit Evropian për Welt e konfirmon edhe eksperti ballkanik, Bodo Weber nga Qendra e Berlinit për Politikat e Demokratizimit:

“Dialogu Kosovë-Serbi, i cili u iniciua me marrëveshjen e prillit 2013 dhe që duhej të çonte në zgjidhjen e konfliktit dhe njohjen formale të Kosovës nga Serbia, ka rreth gjashtë vjet që është në krizë. Konflikte të tjera ishin prioritare, si lëvizjet e refugjatëve të vitit 2015, kriza në Krime dhe lufta aktuale në Ukrainë. “Përpjekjet jotransparente” nga viti 2017 nga ish-shefja e Punëve të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini për të bindur të dy vendet që të bien dakord për shkëmbimin e territoreve ishin në shërbim të interesave nacionaliste dhe minuan besimin në rolin udhëheqës të BE-së”, vlerëson Weber, cituar nga gazeta Welt.

Gazeta Berliner Zeitung ka biseduar për të njëjtën temë me Snezhana Jankoviq, ambasadoren e Serbisë në kryeqytetin e Gjermanisë. Ajo vlerëson se “është e dobishme që Uashingtoni, Brukseli dhe Berlini ndikuan në Prishtinë”, por shton se konflikti nuk u zgjidh me këtë: “Nën presionin e Perëndimit, Prishtina e shtyu zbatimin e rregulloreve kufitare deri më 1 shtator”.

Ambasadorja Jankoviq thekson gjithashtu se “barazimi i politikës së Serbisë me politikën e presidentit rus është i pasaktë: “Është jashtëzakonisht e padrejtë kur Serbia, në kontekstin e Ukrainës, paraqitet si aleate e Rusisë. Po, ne kemi marrëdhënie të mira me Rusinë dhe duam t’i ruajmë, por që në fillim kemi thënë se Krimea është pjesë e Ukrainës dhe kemi votuar dy herë për rezolutat përkatëse të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ne nuk i njohim republikat e Donetskut dhe Luhanskut, sepse u cenua integriteti territorial i Ukrainës, ashtu siç u cenua integriteti i Serbisë nga sulmi i NATO-s (në vitin 1999, shënimi i redaktorit).

Gazeta zvicerane citon ekspertin e sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë, Ismet Fatih Çançar nga Kolegji i Mbrojtjes i NATO-s në Romë, i cili rekomandon që të përshpejtohet pranimi në Aleancën Atlantike: “Gabimi që NATO bëri me Ukrainën kur premtoi anëtarësim për vite, por nuk mori një hapi për ta bërë këtë, nuk duhet të përsëritet”, thotë Çançar. Ai paralajmëron veçanërisht kundër ndërtimit të një aeroporti pranë Trebinjes në juglindje të Republikës Serbe të Bosnjës, i cili do të ishte vetëm 30 kilometra larg nga Dubrovniku kroat në detin Adriatik dhe i cili ” duhet të ketë një pistë të gjatë në mënyrë që edhe aeroplanët e mëdhenj ushtarakë rusë mund të zbarkojnë në të. “Duke pasur parasysh ndikimin rus në Serbi dhe në RS, kjo de fakto do të mundësonte depërtimin rus në det”, pohon Çançar për Neu Zircher Zeitung.

“Por Dodik dhe miqtë e tij në Kremlin nuk janë kërcënimi i vetëm për integritetin e Bosnjë dhe Hercegovinës.” Kreu i partisë boshnjako-kroate HDZ, Dragan Çoviq, kërcënon vazhdimisht me ‘riorganizim institucional dhe territorial’ të vendit – pra krijimin e një pjese të tretë ‘kroate’ dhe rrjedhimisht shpërbërjen e vendit. Ashtu si në rastin e Dodikut, pas Çoviqit qëndron edhe Moska. Këtë pranverë, partitë e këtyre dy nacionalistëve votuan gjithashtu kundër hyrjes së Bosnjë-Hercegovinës nw BE dhe sanksioneve kundër Kremlinit”.

Çoviq, siç shkruan gazeta zvicerane, merr ndihmë edhe nga presidenti kroat Zoran Milanoviq. “Zoki, siç e quajnë Milanoviqin, jo vetëm që shquhet si mbështetësi i Putinit në BE (“Rusia është e pathyeshme”), por ai ndërhyn gjithnjë e më shumë në politikën e brendshme të Bosnjës. Për Bosnje dhe Hercegovinën, një shtet civil është një ‘ëndërr e largët’ dhe të drejtat e kroatëve duhet të përmirësohen së pari, thotë ai. “Në fillim sapuni, pastaj parfumi”, citon gazeta Nue Zircher Zeitung fjalët e presidentit kroat. 

Të ngjashme