Lajme
Zjarri në Lushnjë/ Balla: Ndërhyrja e RENEA-s solli evakuimin, rreziku nuk ka kaluar ende
Demokracia
19:01 | 25 Dhjetor 2023

Share:

Ministri i Brendshëm në Republikës e Shqipërisë, Taulant Balla, në një prononcim pas zjarrit që përfshiu qendrën tregtare “Metropol” në Lushnjë ka sqaruar situatën aktuale.

Balla theksoi se rreziku nuk ka kaluar ende pasi ende ka vatra të vogla zjarri në godinë.

Ai shtoi se, problem mbetet temperatura e godinës ku po punohet për shkak të zjarrit që përfshiu katin e tretë.

“Falë ndërhyrjes dhe koordinimit të mirë mes forcave zjarrfikëse, Shqiponja dhe RENEA të cilat për shkak të profesionalizmit arritën të ndërhyjnë në kohë në banesa për të cilat u informuam që nuk ka banorë por pas hyrjes me forcë djemtë e RENEA-s gjetën njerëz në këto banesa”.

Balla u shpreh se ato tani janë jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohen në spitalin e Lushnjës.

Ndërkaq Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, deklaroi se në spital ndodhen 40 persona dhe mes tyre 3 janë fëmijë.

Brataj përjashtoi çdo mundësi rreziku për shëndetin e pacientëve, duke theksuar se kanë pasur probleme me asfiksinë nga tymi dhe asnjë pasojë tjetër.

Çfarë ka ndodhur?

Fillimisht flakët kanë përfshirë katin e dytë dhe të tretë, por zjarri më pas është përhapur edhe në katin e katërt dhe më pas në apartamentet që janë në godinën e qendrës tregtare.

Ndërkaq Policia ka bërë me dije se zjarri është pikasur rreth orës 14:40. Nga të dhënat e para, dyshohet se zjarri ka nisur nga kabllot elektrike në tubat e ajrimit.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe Forca e Posaçme Shqiponja kanë shkuar në vendngjarje dhe po marrin masa për evakuimin e qytetarëve dhe banorëve në qendrën tregtare”.

Gjithashtu, janë dërguar edhe forcat e sigurisë kombëtare në mbështetje të Policisë Vendore për evakuimin e qytetarëve.

Policia njofton se është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë dhe po punohet për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarrit.

Të ngjashme